Kosova

Sveçla i bindur: Kryetarët e rinj në Veri s’do kenë probleme


Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, shprehu bindjen se kryetarët e rinj të komunave në veri të Kosovës, nuk do të kenë probleme në punën e tyre, sepse, siç tha, “ligji do të zbatohet në të gjithë vendin”.

“Në veri vështirësitë janë më specifike, por probleme nuk do të ketë”, tha Sveçla për Radion Evropa e Lirë.

Ai theksoi se kryetarët e rinj “do të punojnë normalisht në objektet shtetërore të Kosovës”.

“Të gjitha objektet e administratës në Republikën e Kosovës janë pronë e shtetit. Nuk janë pronë e askujt dhe nuk janë subjekt i dëshirave të askujt. Ata [kryetarët e rinj] do të funksionojnë aty normalisht”, shtoi ai.

Ndërkaq gjatë ditës, ai ka theksuar se Lista Serbe po e humb ndikimin në katër komunat veriore të Kosovës ku këtë të diele po mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale.

“Lista Serbe po e humb ndikimin në veri të Kosovës, siç e ka humbur edhe në Kuvend të Kosovës. Njëherë e përgjithmonë po e humbin ndikimin që e kanë pas në këto anë”, tha ai gjatë një interviste në KTV.

Ndryshe, vetëm 1567 qytetarë kanë votuar në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore që janë mbajtur këtë të diele, apo përkthyer në përqindje vetëm 3.47 për qind, nga gjithsejtë 45 mijë e 95 qytetarë sa kishin të drejtë vote.

Këtë të dhëna i ka bërë të ditura Kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor të Kosovës (KQZ), Kreshnik Radoiniqi, në një konferencë për media pasi janë mbyllur qendrat e votimit.

Në komunën e Leposaviqit kanë marrë pjesë 141 votues, apo 1.06 për qind, në Zubin Putok 385 votues, apo 5.78 për qind, në Zveçan 204, apo 2.92 për qind, dhe në komunën e Mitrovicës së Veriut 837 votues, apo 4. 62 për qind.

KQZ-ja publikon rezultatet preliminare: LV-ja dhe PDK-ja fitojnë nga dy komuna

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore