Lajme

Sveçla e Krasniqi nga Mitrovica e Veriut: Nuk kemi frikë nga kërcënimet e Serbisë


Xhelal Sveçla dhe Elbert Krasniqi

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, së bashku me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, vizituan të enjten Mitrovicën e Veriut – komunë e banuar me shumicë serbe – nga ku thanë se kërcënimet e Serbisë nuk i frikësojnë dhe rrjedhimisht, do të vazhdojnë ndërtimin e shtëpive të shqiptarëve në katër komunat veriore.

Sveçla e Krasniqi vizituan shtëpinë në ndërtim e sipër të një shqiptari në Mitrovicë të Veriut, përfitues nga thirrja e Qeverisë së Kosovës për grante për ndërtimin dhe renovimin e shtëpive, një prej të cilave të mërkurën në mbrëmje u ngjyros me “parulla ekstremiste” e “simbole nacionaliste”, derisa u zotuan se përgjegjësit për kryerjen e këtij akti do të vihen para drejtësisë.

“Shtëpitë që po rindërtohen me pronarë shqiptarë janë mbuluar me parulla ekstremiste që nuk kanë vend në Kosovë. Çfarëdo gjuhe e urrejtës ndëretnike, çfarëdo gjuhë që nxit dhunë është e dënueshme. Akterët do të zbulohen dhe do të vihen para drejtësisë. Ashtu siç e kemi thënë edhe më herët: për Serbinë e Rusinë s’ka vend në Kosovë”, tha Sveçla në një deklaratë.

Krasniqi u shpreh se Qeveria e Kosovës do t’ua garantojë qytetarëve të drejtën elementare për t’u ritkthyer në shtëpitë e tyre, ndërsa shtoi se “parullat ekstremiste” tregojnë se Serbia nuk është e interesuar për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, por përkundrazi.

“E drejta për t’u kthyer në shtëpitë e tyre është e drejtë elementare për secilin qytetar. Këto grafite tregojnë që Serbia nuk është e interesuar për normalitet dhe nuk është e interesuar të ketë orientimin evropian. Kjo tregon se ku është e orientuar Serbia. Kërcënimet nuk na trembin”, tha Krasniqi.

Qeveria e Kosovës njoftoi se ky program do të vazhdojë edhe me thirrjen e dytë këtë vitit, për të cilën thirrje tashmë është ndarë buxhet në vlerë prej tre milionë euro, derisa ndërtimet e shtëpive kanë filluar edhe në qytete tjera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore