Lajme

Sveçla: BE-ja me qasje të pabalancuar – Radojiçiç po trajnon terroristë të tjerë


Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka kritikuar Bashkimin Evropian për qasje “të pa balancuar”, veçanërisht pas sulmit në Banjë më 24 shtator duke thënë se në vend se të merreshin masa ndaj Serbisë, u vendosën sanksione ndaj Kosovës.

Sipas tij, ndonëse informacionet janë ndarë me partnerët e Kosovës ka hezitim nga ana e tyre për të vënë para përgjegjësisë shtetin e Serbisë.

“Befasuese është sjellja e qarqeve të ndryshme në Bashkimin Evropian. Sot dëgjova një deklaratë të zv/kryetares së PE e cila shprehte kundërshtinë e saj ndaj qasjes së pabalancuar, të padrejtë të BE, ku struktura ekstremiste të Serbisë sulmuan KFOR”, ka thënë ai në A2 CNN.

Svecla, paralajmëroi se në çdo moment kryeterroristi serb, Milan Radojiçiç, mund të marrë një urdhër tjetër për të sulmuar Kosovën.

“Ai është udhëheqësi i grupeve të trajnimit dhe mund të marrë ndonjë urdhër tjetër nga Vuçiç për të sulmuar. Një pjesë e trajnimeve po bëhen në pronat e tij”.

“Është koha e fundit që Bashkësia Ndërkombëtare të ndërroj qasje në raport me Vuçiç-in”, tha ministri.

Kryeterroristi serb, Milan Radojiçiç, i cili mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit, po akuzohet për tri vepra penale atë për “veprim i rëndë kundër rendit kushtetues apo sigurisë së Kosovës”, “kryerja e veprës terroriste” dhe “pastrim të parave” nga organizata ndërkombëtare, INTERPOL.

INTERPOL, lëshoi edhe urdhërarrest ndaj tij dhe terroristëve të tjerë të përshirë në sulmin e 24 shtatorit, disa muaj më parë.

Çfarë ndodhi?

Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit, sulmoi Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, Afrim Bunjaku.

Autoritetet e Kosovës akuzuan drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç u arrestua nga autoritetet serbe, për t’u liruar një ditë më pas.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë.

Përveç kësaj, Beogradi zyrtar, pas sulmit terrorist, dislokoi një numër të madh të trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore