Sport

Superiorja shqiptare në kaos, Kastrioti mohon akuzat nga FSHF për kërcënim të arbitrave


Ekipi krutan i Kastriotit, i cili luan në kategorinë superiore, ka dalë me një deklaratë për shtyp, ku ka mohuar disa akuza të ngritura nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit, se arbitrat për ndeshjen që do të zhvillohej mes Kastriotit dhe Bylisit ishin kërcënuar me jetë, duke çuar kështu në pezullimin e takimit me afat të pacaktuar.

Po ashtu, në akuzën e reflektuar nga FSHS-ja, bëhet me dije se edhe në javën e shkuar të kampionatit, ekipi i Kastriotit ka ushtruar presion mbi trupën e arbitrimit, ku një episod i shënuar ka qenë ai i anulimit të një goli të ekipit të Laçit, nga gjyqtari i ndeshjes, i cili ishte nën presion nga ekipi krutan.

Por, sipas strukturave drejtuese të Kastriotit, të cilët janë distancuar nga ngjarja, klubi nuk ka lidhje me çështjen. Ndaj, vetë ata i bëjnë thirrje organeve kompetente, që të zbardhin sa më shpejt historinë që fshihet pas dhe e cila “prish imazhin e klubit, por edhe të futbollit shqiptar në tërësi”.

“Ne jemi të gatshëm të përballemi me realitetin dhe i bëjmë thirrje organeve kompetente të marrin masa të menjëhershme dhe të zbardhin të vërtetën për këtë akuzë të rëndë. KS Kastrioti distancohet në mënyrë kategorike nga çdo lloj ngjarje që njollos lojën e bukur të futbollit”, shkruhet në deklaratën e lëshuar nga ekipi.

 

Federata ndërkaq, po përmes një komunikate për shtyp, ka parashtruar rrethanat e ngjarjes.

“Ditën e djeshme arbitrat e ndeshjes janë kërcënuar dhe kjo ngjarje është duke u hetuar nga organet kompetente. Federata e Futbollit është njohur me vendimin e të gjithë klasës arbitrale, që nuk pranon të marrë përsipër drejtimin e ndeshjeve të Klubit Kastrioti për shkak të presioneve dhe shantazheve të vazhdueshme”.

Kështu e ka nisur njoftimin Federata, duke kujtuar edhe se javën e shkuar, sërish nga i njëjti grup tifozerie, janë kërcënuar arbitrat e ndeshjes Kastrioti-Laçi.

Nën presion, trupa e arbitrave është detyruar të anulojë një gol për skuadrën e Laçit, sipas njoftimit.

Ndërsa, po sipas FSHS-së, të ndjerë vazhdimisht të kërcënuar, zyrtarët kanë pasur frikë të deklarojnë me shkrim apo të denoncojnë ngjarje të tilla.

Të gjendur në këtë situatë, FSHF bën me dije se do të presë deri në fund zbardhjen e ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme dhe do të marrë vendimet e duhura për të siguruar ambientin e sigurt në panoramën futbollistike shqiptare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore