Sport

Sulmuesi i Atletico Madrid-it dëshpërohet pas mos-ftesës nga Brazili, tifozët fajësojnë stilin e lojës së Diego Simeone-s


Futbollisti brazilian i Atletico Madrid-it, Matheus Cunha, e përjetoi shumë rëndë mos-ftesën nga kombëtarja e tij në Kupën e Botës.

Pas shpalljes së listës finale nga trajneri i Brazilit, Tite, Cunha ka postuar një video, ku shihet se ishte zemërthyer.

Ai ka shkruar në video: “Të gjithëve që më dërgojnë mesazhe, faleminderit. Ishte e vështirë, ishte e dhimbshme, por kjo është pjesë e saj”.

“Përzgjedhja ishte shumë e mirë, duhet ta pranoj që konkurrenca është e madhe. Faleminderit nga thellësia e zemrës sime për mbështetjen tuaj dhe ne do t’ju gëzojmë”, shtoi sulmuesi i Atletico-s.

Pas videos të postuar, nuk ka munguar reagimi i tifozëve, të cilët fajësojnë stilin e lojës së trajnerit të tij te Atletico Madrid-i, Diego Simeone.

Disa prej tyre madje thanë se Cunha kishte gabuar që iu bashkua Atletico-s në verën e vitit të kaluar, i cili u transferua nga Hertha Berlin për shumën e 22 milionë eurove.

Një tifoz tha: “Stili i futbollit të Atletico dhe Simeone definitivisht nuk i përshtatet atij, pasi nuk i përshtatet as Joao Felix-it. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të zgjedhësh klubin e duhur, veçanërisht gjatë një viti vendimtar siç është viti i Kupës së Botës”.

Një tifoz tjetër shkroi: “Unë mendoj se ai duhet të kishte qëndruar në Bundesliga në vend që të bashkohej me Atletico Madrid-in”.

Një tjetër tha: “Ai bëri zgjidhjen e gabuar. Loja e Simeone-s nuk i lejon lojtarët si ai të lulëzojnë. Ende i ri dhe ka një të ardhme të ndritur përpara tij nëse mund të largohet nga Atletico”.

Pra, loja e aplikuar nga Simeone në ekipin e tij është duke u kritikuar nga shumë njerëz të futbollit.

Pavarësisht “lojës jo të mirë” Atletico tani është eliminuar nga Liga e Kampionëve në fazën e grupeve, por nuk arriti të pozicionohej as në vendin e tretë në grup – pozitë kjo që e dërgon në fazën e eliminimeve në Ligën e Evropës.

Atletico aktualisht gjendet në vendin e tretë në La Liga me 24 pikë, ku në 13 javët e para ka marrë shtatë fitore, tre barazime dhe tre humbje.

Sa i përket Cunha-s, ai nuk ka qenë titullar asnjëherë në këtë sezon, ku nga banka rezervë ka pasur 16 paraqitje në La Liga dhe në Champions, duke arritur të asistojë dy herë.

Kurse në sezonin e kaluar, sulmuesi brazilian pati 29 ndeshje me skuadrën nga Madridi në ligë, duke shënuar gjashtë gola dhe duke asistuar në gjashtë të tjerë.

Ndërkohë, me kombëtaren e tij, Brazilin, 23-vjeçari numëron tetë ndeshje zyrtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore