Lajme

Sulmohet një polic në Jarinjë


Pikat Kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Një person ka sulmuar fizikisht një polic në pikëkalimin kufitar me Serbinë, në Jarinjë të martën e 22 marsit.

Lajmi është bërë i ditur përmes raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës.

“PKK. Jarinje 21.03.2023-17:50. I dyshuari mashkull kosovar është ndaluar nga Policia për procedura policore, dhe i njëjti duke sulmuar fizikisht njërin nga zyrtarët policor është larguar në drejtim të panjohur të kufirit”, thuhet në raport.

Teksa nga policia është thënë se rasti është duke u hetuar, përderisa zyrtari ka pranuar tretman mjekësor.

Më 23 janar, patrulla e Policisë së Kosovës, është sulmuar në vendin e quajtur Bistricë në Komunën e Leposaviqit.

Sipas njoftimit të policisë, njësia policore ka qenë në pikë kontrolli dhe gjatë realizimit të detyrave ka tentuar ta ndalojë një veturë, e cila gjatë lëvizjes ka goditur automjetin e Policisë së Kosovës.

Sulmi në fjalë nuk është sulmi i parë në drejtim të Policisë së Kosovës në pjesën veriore të vendit.

Rasti i fundit ishte në muajin dhjetor ku ka pasur rritje të tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë, meqë rast njëri nga policët kishte mbetur i plagosur.

Plagosja e tij kishte ndodhur derisa një veturë e Policisë së Kosovës po patrullonte nëpër fshatin Serbovc, në Komunën e Zveçanit.

Plumbi e kishte goditur në krahë, ndërsa më pas, nga xhami i dërrmuar nga breshëria, copëza të vogla metalike e kanë goditur edhe në kokë, më saktësisht në pjesën e veshëve.

Kjo ishte hera e parë që është plagosur një pjesëtar i forcave të rendit.

Situata jostabile dhe me prezencë të krimit të organizuar në Veri vazhdon qysh nga viti 2000, por tensionet u shtuan, kur qeveria provojë të zbatojë marrëveshjen e vitit 2013 për targat ilegele.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore