Lajme

Sulmohen fizikisht policët në Ferizaj dhe Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”


Sipas raportit 24-orësh të policisë së Kosovës një shqiptar me shtetësi të Gjermanisë, ka sulmuar dy zyrtarë policorë në Ferizaj, në orët e hershme të së shtunës, pasi ishte ndaluar për një kundërvajtje në komunikacion, derisa dy policët dhe i dyshuari kanë marrë lëndime trupore.

“Raportohet se është arrestuar një i dyshuar mashkull-shqiptar shtetas i Gjermanisë, pasi që i njëjti ka shkaktuar kundërvajtje në komunikacion dhe nën ndikim të alkoolit nuk ka zbatuar urdhrat e zyrtarëve policorë. Njësiti policorë me forcë ka futur nën kontroll personin në fjalë, gjatë kësaj dy zyrtarë policorë dhe i dyshuari kanë pësuar lëndime dhe më pas kanë pranuar tretman mjekësor”, thuhet në njoftim.

Ndërsa me vendim të prokurorit, pas intervistimit i dyshuari është liruar dhe rasti është duke u hetuar.

Ndërkaq në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” një shtetas polak është arrestuar pasi ka sulmuar fizikisht dy zyrtarë policorë.

Sipas raportit të organeve të rendit, njëri nga policët ka pësuar lëndime dhe është dërguar për trajtim mjekësor.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull shtetas polak, pasi që i njëjti ka shkaktuar probleme me pasagjerët ndërkohë i ka sulmuar fizikisht dy zyrtarë policorë dhe si pasojë njëri prej tyre ka pësuar lëndime trupore dhe ka pranuar tretman mjekësor”.

Po ashtu me vendim të prokurorit, i dyshuari pas tretmanit mjekësor në QKUK (Psikiatri) është dërguar në mbajtje, rasti në procedurë hetimore.

Sipas raportit të policisë, një logoped dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një vajze të mitur në Podujevë.

Policia bën të ditur se rastin e ka raportuar nëna e vajzës së mitur

“Ankuesja femër kosovare ka raportuar se ndaj vajzës së saj të mitur ishte ushtruar dhunë fizike (kapur për flokësh) nga logopedi, i dyshuari mashkull kosovar ku ishte duke u trajtuar viktima. I dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është arrestuar dhe dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore