Lajme

Sulmi terrorist në Vjenë, prokurorët akuzojnë të dyshuarin e parë


Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, me kancelarin austriak Sebastian Kurz, duke nderuar ata që u vranë gjatë një sulmi terrorist në Vjenë, Austri, të hënën, 9 nëntor 2020. 

Prokurorët austriakë, të premten e 20 gushtit, kanë lëshuar aktakuzën e parë kundër një të dyshuari të lidhur me sulmin terrorist në Vjenë.

Katër persona u vranë dhe dhjetëra u plagosën pasi një person i armatosur hapi zjarr në qytetin e vjetër të kryeqytetit austriak nëntorin e kaluar.

Sipas burimeve gjyqësore, të enjten, një 25-vjeçar, çeçen u akuzua nën dyshimin se ishte xhihadist.

Ai akuzohet për pjesëmarrje në takime me mbështetës të dyshuar të të ashtuquajturit Shteti Islamik dhe “shpërndarje të propagandës terroriste”.

I dyshuari – i identifikuar në mediat austriake si Ali K. – u arrestua pas sulmeve dhe ndodhet në paraburgim.

“Zyra e prokurorit të Vjenës ka ngritur një aktakuzë kundër tij për anëtarësim në një organizatë terroriste”, tha një zëdhënëse e gjykatës rajonale në Sankt-Pölten..

Personi i armatosur – Kujtim Fejzulai, një 20-vjeçar austriak, i cili gjithashtu mbante kombësinë e Maqedonisë së Veriut – u vra nga policia në vendngjarje.

Ai ishte i njohur për policinë pasi ishte përpjekur të bashkohej me radhët e luftëtarëve xhihadistë në Siri. Gjithashtu pretendohet se ka marrë pjesë në të njëjtat takime si Ali K. në të paktën dy raste.

Ende nuk është caktuar data e gjykimit, pasi hetimet për sulmet vazhdojnë. Të paktën 15 persona janë arrestuar pas sulmit – shumë prej tyre ende në paraburgim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore