Lajme

Sulmi terrorist në Banjë, INTERPOL-i lëshon urdhër-arrest për Radojiçiç-in dhe 11 persona të tjerë


Milan Radojiçiç

Organizata ndërkombëtare policore “INTERPOL”, ka lëshuar një urdhër-arrest për kryekriminelin Milan Radoijçiç dhe 11 persona të tjerë për sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit më 24 shtator, ka raportuar media opozitare serbe “Nova”.

Urdhri është lëshuar me ndërmjetësimin e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (OKB), UNIMK, në bazë të kërkesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.

Se është lëshuar urdhër-arresti për terroristin Radojçiç, për median serbe “Nova”, e ka konfirmuar Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiç.

“Po ashtu është. Nga Ministria e Punëve të Brendshme është konfirmuar se për Milan Radojiçiç-in është lëshuar fletarrest i Interpolit”, ka thënë Rashiç.

Konfirmimi për urdhër-arrestin ndaj Radoijçiç-it, vjen një ditë pasi që Policia e Kosovës atij ia konfiskoi një anije me shpejtësi të madhe (motobarkë).

Milan Radojiçiç, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar, mori përgjegjësinë për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri, tanimë i shpallur hero, Afrim Bunjaku.

Radojiçiç kishte arritur që pas sulmit terrorist të arratisej në Serbi.

Ndërsa, në fund të shtatorit Policia e Kosovës kishte konfiskuar vilën e tij në liqenin e Ujmanit, ndërsa në të njëjtën kohë ka kontrolluar pronën e tij në pjesën Veriore të vendit, ku ishin sekuestruar edhe disa vetura dhe sende të tjera.

Radojiçiç, i cili është person i afërt i presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, kishte qenë deri para pak kohe nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, njëherit të dirigjuarit e Beogradit.

Mirëpo, në ditën që mori përsipër sulmin terrorist të 24 shtatorit, ai njoftoi dorëheqjen e tij.

Bashkësia ndërkombëtare, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, e kanë dënuar në termat më të ashpër sulmin terrorist, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Për këtë ngjarje, Kosova ka akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë, ku edhe ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të merren masa ndëshkuese ndaj saj.

Nga ana tjetër, Serbia, jo që nuk është distancuar nga ky sulm terrorist, por edhe ka shpallur ditë zie kombëtare në nderim të terroristëve të vrarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore