Lajme

Konfiskohet skafi i Radojiçiç-it në Zveçan


Milan Radojiçiç

Policia e Kosovës këtë mërkure ka konfiskuar një anije me shpejtësi të madhe (motobarkë), e cila ka qenë në pronësi të kryekriminelit Milan Radojiçiç.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani.

“Sot kemi marrë një informatë se në Zveçan është një motobarkë e Milan Radoiçiç-it, pastaj kemi shkuar atje, kemi gjetur varkën dhe e kemi marrë”, ka thënë Elshani për AP.

Ai bëri me dije se varka e Radojiçiç-it – i cili mori përsipër sulmin terrorist në Banjë – ndodhej në një objekt në pronësi të komunës së Zveçanit.

Milan Radojiçiç, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar, mori përgjegjësinë për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri, tanimë i shpallur hero, Afrim Bunjaku.

Radojiçiç kishte arritur që pas sulmit terrorist të arratisej në Serbi.

Ndërsa, në fund të shtatorit Policia e Kosovës kishte konfiskuar vilën e tij në liqenin e Ujmanit, ndërsa në të njëjtën kohë ka kontrolluar pronën e tij në pjesën Veriore të vendit, ku ishin sekuestruar edhe disa vetura dhe sende të tjera.

Radojiçiç, i cili është person i afërt i presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, kishte qenë deri para pak kohe nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, njëherit të dirigjuarit e Beogradit.

Mirëpo, në ditën që mori përsipër sulmin terrorist të 24 shtatorit, ai njoftoi dorëheqjen e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore