Lajme

Sulmi me dron në Kabul, SHBA do të nisë hetimet


Një demokrat i lartë amerikan tha të enjten e 23 shtatorit se komitete të shumta të kongresit do të hetojnë një sulm me dron që vrau 10 civilë afganë muajin e kaluar.

Kjo do të bëhet për të përcaktuar se çfarë shkoi keq dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve në lidhje me strategjinë e ardhshme kundër terrorizmit.

“Kjo është një çështje që disa komitete do ta shqyrtojnë dhe ne tashmë kemi filluar ta bëjmë atë”, u tha gazetarëve përfaqësuesi Adam Schiff, kryetar i Komitetit të Inteligjencës së Dhomës së Përfaqësuesve.

Ushtria amerikane kërkoi falje të premten për sulmin me dron të 29 gushtit në Kabul, ku mbetën të vrarë 10 civilë, përfshirë shtatë fëmijë, duke e quajtur atë një “gabim tragjik”.

Pentagoni kishte thënë se sulmi kishte në shënjestër një sulmues vetëvrasës të Shtetit Islamik, i cili përbënte një kërcënim të afërt për trupat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, kur ata përfunduan tërheqjen e tyre nga Afganistani.

Dështimi i inteligjencës ngriti pyetje të vështira në lidhje me rreziqet e ardhshme, veçanërisht nëse Shtetet e Bashkuara mund të mbajnë gjurmët e kërcënimeve nga Afganistani pa një prani në vend.

“Ne do të kalojmë në një strategji mbi horizontin, ne duhet të kuptojmë saktësisht se çfarë shkoi keq dhe çfarë do të thotë në lidhje me kufijtë e asaj që ne jemi në gjendje të bëjmë”, tha Schiff në një takim me gazetarët.

“Over-the-horizont” u referohet përpjekjeve kundër terrorizmit nga jashtë Afganistanit, të tilla si sulmet me dronë nga bazat e vendosura 1 mijë milje nga objektivat e tyre.

SHBA, përgjegjëse e sulmit

Konfirmimi i vdekjeve civile siguroi nxitje të mëtejshme për kritikët e tërheqjes kaotike të Shteteve të Bashkuara, e cila krijoi krizën më të madhe të politikës së jashtme deri më tani për administratën e presidentit amerikan, Joe Biden.

Një javë më parë, qeveria e SHBA-ve e pranoi zyrtarisht se ka vrarë 10 qytetarë të pafajshëm në Kabul, pak orë përpara përfundimit të plotë të tërheqjes ushtarake nga Afganistani.

Lajmin e kanë konfirmuar zyrtarë amerikanë për median amerikane CBS, partnere e medias britanike BBC.

Për cilin sulm bëhet fjalë?

Një shpërthim i madh është regjistruar në një zonë rezidenciale të Kabulit pranë aeroportit. Sipas raportimeve, një raketë ishte lëshuar mes shtëpive.

Ndërsa historia pritej të zbardhej, u bë me dije hap pas hapi, se atë sulm, e kishin kryer vetë amerikanët.

Sulmi amerikan ka qenë një operacion parandalues për sulme të mundshme të terroristëve IS-K. Mirëpo, ato kanë goditur një zonë të banuar nga njerëz dhe jo terroristët.

Mes të vrarëve, mbetën edhe fëmijë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore