Lajme

SHBA-të e pranojnë se vranë 10 qytetarë të pafajshëm në Kabul


Qeveria e SHBA-ve e ka pranuar tashmë zyrtarisht se ka vrarë 10 qytetarë të pafajshëm në Kabul, pak orë përpara përfundimit të plotë të tërheqjes ushtarake nga Afganistani.

Lajmin e kanë konfirmuar zyrtarë amerikanë për median amerikane CBS, partnere e medias britanike BBC.

Për cilin sulm bëhet fjalë?

Një shpërthim i madh është regjistruar në një zonë rezidenciale të Kabulit pranë aeroportit. Sipas raportimeve, një raketë ishte lëshuar mes shtëpive.

Ndërsa historia pritej të zbardhej, u bë me dije hap pas hapi, se atë sulm, e kishin kryer vetë amerikanët.

Sulmi amerikan ka qenë një operacion parandalues për sulme të mundshme të terroristëve IS-K. Mirëpo, ato kanë goditur një zonë të banuar nga njerëz dhe jo terroristët.

Mes të vrarëve, mbetën edhe fëmijë.

Hetimi

Një hetim i mëpasshëm i ngjarjes, zbuloi se sulmi, pati lënë të vrarë një punonjës vullnetar dhe nëntë pjesëtarë të familjes së tij. Shtatë prej tyre, ishin fëmijë.

Mjeti i cili u godit nga dronët amerikanë

Vetëm dy vjeç, ishte viktima më e vogël.

Për tetë orë, dronët amerikanë e patën ndjekur makinën e punonjësit. Ata ishin të bindur se ai mjet, i përkiste dy militantëve islamistë të grupimit IS-K.

Mirëpo, një gabim i rëndë, u kushtoi shtrenjtë fëmijëve të pafajshëm, duke i marrë atyre jetën.

Amerikanët nuk e kanë marrë përsipër deri më tani sulmin, ndaj ky pranim, mund t’i shtohet kritikave të shumta që Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni, kanë marrë për largimin amerikan nga Kabuli.

Lajmi në përditësim

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore