Pajisje

Sulmi kibernetik në TikTok godet kompanitë dhe të famshmit


Platforma TikTok ka bërë me dije se po trajton një sulm kibernetik që synonte markat dhe të famshëm, duke përfshirë Paris Hilton dhe agjencinë e lajmeve CNN.

Sidoqoftë, TikTok i ka thënë medias britanike BBC se një numër “shumë i kufizuar” llogarish ishte komprometuar.

Dhe se po punon me përdoruesit për të rivendosur aksesin në llogaritë e tyre.

TikTok, i cili është në pronësi të kompanisë kineze ByteDance, nuk ka ndarë detaje të mëtejshme mbi sulmet kibernetike, si për shembull se si u krye.

Një zëdhënës i TikTok-ut ka thënë se llogaria e Hilton ishte në shënjestër, por nuk ishte komprometuar.

Ylli i realitetit televiziv, e cila ka më shumë se 10 milionë ndjekës në TikTok, është një përdoruese aktive e platformës.

Nga ana tjetër, llogaria e transmetuesit të lajmeve CNN është komprometuar.

“Ne kemi bashkëpunuar ngushtë me CNN për të rivendosur aksesin në llogari dhe për të zbatuar masa të zgjeruara sigurie për të mbrojtur llogarinë e tyre duke ecur përpara”, ka thënë TikTok.

“Ne jemi të përkushtuar për të ruajtur integritetin e platformës dhe do të vazhdojmë të monitorojmë për çdo aktivitet të mëtejshëm jo-autentik”.

Sakaq, lajmi vjen pasi TikTok po përballet me një ndalim në SHBA, nëse nuk shitet nga kompania e tij mëmë kineze.

TikTok ka miliona përdorues në mbarë botën, por është përballur me pyetje mbi sigurinë e të dhënave të përdoruesve dhe lidhjet me qeverinë në Pekin.

Po shfaqet gjithashtu si një fushë beteje e re e mediave sociale për zgjedhjet në SHBA.

Në fillim të këtij muaji, Donald Trump iu bashkua TikTok-ut, pavarësisht se u përpoq ta ndalonte atë për arsye të sigurisë kombëtare gjatë presidencës së tij.

Trump, i cili ka grumbulluar më shumë se pesë milionë ndjekës që nga hapja e llogarisë së tij të shtunën, ka thënë se do të përdorë “çdo mjet në dispozicion për të folur drejtpërdrejt me popullin amerikan”.

Presidenti Joe Biden po përdor gjithashtu platformën për të bërë fushatë për rizgjedhje në nëntor, por ai ka marrë vetëm rreth 350 mijë ndjekës – shumë më pak se rivali i tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore