Lajme

Sulmi izraelit lë 14 viktima dhe 30 të plagosur, shumë prej tyre gra dhe fëmijë


Një sulm ajror izraelit në një ndërtesë banimi në kampin e refugjatëve Nuseirat në Rripin qendror të Gazës ka lënë të vrarë 14 persona, kryesisht gra dhe fëmijë.

Ndërkaq, 30 të tjerë raportohet të jenë plagosur rëndë.

Informacioni sakaq është konfirmuar edhe nga Mbrojtja Civile e Gazës.

Në një video të postuar në mediat sociale, shihen disa fëmijë në spital, ku mjekët i ekzaminojnë në dysheme: trupat e tyre janë të pluhurosur dhe të mbuluar me gjak.

Një video tjetër tregon trupat e ekspozuar të tre fëmijëve të pajetë pranë trupave të tjerë të mbështjellë me batanije.

“Spitali ynë është me të vërtetë katastrofik sepse është në prag të kolapsit, ambienti ynë i pritjes është plot me të lënduar dhe njerëzit janë në dysheme dhe jemi përpjekur të vendosim tenda jashtë hyrjes së spitalit, por edhe ajo është plot me të plagosur dhe kapaciteti është i ulët”, ka thënë një nga mjekët.

Sulmi ndodhi natën e fundit para Fitër Bajramit, një nga festat më të rëndësishme në kalendarin islam, që shënon fundin e Ramazanit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore