Lajme

Sulm me hark dhe shigjeta në Norvegji, të paktën 4 të vdekur


Një sulm me hark dhe shigjeta ka ndodhur të mërkurën e 13 tetorit në Kongsberg të Norvegjisë. Deri më tani raportohet për katër të vdekur dhe nuk përjashtohet mundësia e një sulmi terrorist.

Sipas Policisë lokale, i dyshuari për sulmin – një burrë – ka përdorur një hark dhe shigjeta, duke lënë të vdekur disa persona dhe plagosur të tjerë.

Në një deklaratë, shefi i policisë, Oeyvind Aas, bëri me dije se i dyshuari për sulmin është kapur, ndonëse nuk e bëri të ditur numrin e saktë të personave të plagosur dhe atyre të vdekur.

Ndërkohë, të plagosurit janë nën kujdesin e mjekëve.

Gjithashtu, Aas ka thënë se “ky person i kreu këto veprime i vetëm”.

Sulmet ndodhën në “një zonë të madhe” të Kongsberg, një komunë me rreth 28 mijë njerëz në Norvegjinë Juglindore.

Pas sulmeve, drejtoria e policisë tha se kishte urdhëruar menjëherë oficerët në mbarë vendin që të mbanin armë zjarri. Policia norvegjeze zakonisht patrullon e paarmatosur – por oficerët kanë qasje në armë dhe pushkë kur është e nevojshme.

Transmetuesi publik norvegjez “NRK”, tha se policia në Kongsberg, mori raporte rreth orës 18:15 pasdite me kohën lokale se një burrë po lëvizte nëpër qendrën e qytetit duke gjuajtur me hark dhe shigjeta.

Goditjet duket se kanë filluar pranë një supermarket-i “Coop Extra” në qendër të qytetit, por detajet “janë ende të paqarta”.

Një zëdhënës i “Coop”, Harald Kristiansen, tha për “NRK-në” se kishte “një incident të rëndë në dyqanin tonë”, por asnjë nga punonjësit e tij nuk ishte plagosur.

“Ne po ofrojmë ndihmë për kolegët tanë dhe po ndihmojmë policinë në hetimin e tyre”, shtoi ai.

Sakaq, ministrja norvegjeze e Drejtësisë dhe Sigurisë Publike, Monica Maeland, po monitoron nga afër situatën.

Mediat lokale dhe ato ndërkombëtare kanë raportuar se për zbardhjen e detajeve të mëtejshme janë përfshirë edhe forca shtesë nga qytete të tjera dhe dy helikopterë. Po ashtu, më shumë se dhjetë autoambulanca ndodhen në vendngjarje.

Lajmi në përditësim…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore