Sport

“Sukseset e xhudistëve tanë janë pasuri kombëtare”, thotë Haradinaj


Ramush Haradinaj

“Sukseset e xhudistëve tanë janë pasuri kombëtare, dhe kjo meritë shkon te mjeshtri i madh Toni Kuka dhe familja e tij”, ka thënë Ramush Haradinaj.

Këto komente, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës i ka bërë pas sukseseve të xhudistëve kosovarë në Kampionatin e Hapur Evropian të xhudos, i cili është mbajtur në Prishtinë.

“Xhudoja vazhdon të jetë sporti më kulminant në vend. Kosova ka ndritur në arenën ndërkombëtare falë xhudistëve tanë të talentuar, të cilët kanë sjellë triumfe të njëpasnjëshme për vendin tonë”, shkroi Haradinaj në Facebook.

Ish-kryeministri, i cili ka qenë prezent në këtë kampionat, ku kanë marrë pjesë 26 shtete nga e gjithë bota, ka thënë se ka përjetuar një “emocion të veçantë” në këtë ngjarje sportive, që është nga më të mëdhatë në vend.

Në fund, kreu i AAK-së i ka shprehur mirënjohje Federatës së Xhudos së Kosovës më në krye Agron Kukën, për organizimin “e shkëlqyer” të këtij kampionati.

Ndryshe, xhudisti që përfaqëson Kosovën në Kampionatin e Hapur Evropian që po zhvillohet në Prishtinë, Akil Gjakova ka fituar medaljen e artë.

Akil Gjakova

Medalja e artë e Akilit erdhi pas atyre tre të bronztave të fituara nga Distria Krasniqi, Nora Gjakova dhe Dardan Cena.

Për arritjen e tij të jashtëzakonshme, Akili do të fitojë 55 mijë euro si shpërblim.

Kampionati i Hapur Evropian i Xhudos organizohet në kuadër të programit shtetëror, “Kosova, shtet i xhudos” nga Federata e Xhudos e Kosovës, dhe mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Federata Evropiane e Xhudos.

Gjakova mundi në finale italianin, Manuel Lombabro. Me këtë të fundit, që më herët gjatë rrugëtimit të tij kishte mposhtur xhudistin tjetër nga Kosova, Dardan Cena.

Akili fitoi ndaj xhudisti moldav, Petru Pelivan për të siguruar kalimin në finale. Në gjysmëfinale ai kishte kaluar pasi kishte mundur azerin, Hidayat Heydarov.

Akil Gjakova i artë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore