Lajme

Stuhi e fuqishme në Serbi, një fëmijë i vdekur


Si pasojë e stuhisë së fuqishme që ka goditur Serbinë, një fëmijë në qytetin e Novi Sadit ka vdekur.

Siç raporton rrjeti ballkanik i lajmeve “N1”, një fëmijë (10 vjeçar) ka vdekur në Novi Sad si pasojë e një goditjeje elektrike apo rrufeje.

Stuhia ka shkaktuar edhe dëme të mëdha materiale, ku shumë vetura e ndërtesa janë dëmtuar.

Ndërsa, më herët u njoftua se është mbyllur përkohësisht edhe aeroporti i Beogradit “Nikolla Tesla”.

“Ndalimi i furnizimit me karburant për avionët ka hyrë në fuqi në datën 20.09.2023, në përputhje me dispozitat e Ligjit për Trafikun Ajror dhe procedurën e parashikuar të sigurisë”, njoftoi shërbimi për shtyp i aeroportit, transmetojnë mediat serbe.

Qytetin e Novi Sadit nuk ujë fare, kjo pasi që fabrika e ujit të qytetit është jashtë funksionit.

Ndërsa, në disa pjesë të qytetit, herë pas here fiket rryma.

Reshje të dendura dhe erë të stuhishme ka edhe në kryeqytetin serb, Beograd, ku aktualisht po bie shi i dendur, i shoqëruar me erëra të fuqishme dhe bubullima.

Në Zrenjanin stuhia ka këputur kabllot elektrike, duke lënë një pjesë të zonës pa energji elektrike.

Ndërsa, në disa fshatra të Serbisë, era e fortë ka hequr tjegullat nëpër çatitë e disa shtëpive.

Anëtarët e Departamentit për Situata Emergjente të Ministrisë së Punëve të Brendshme serbe kanë shpëtuar pesë persona, mes të cilëve dy fëmijë, pasi që një pemë ra mbi ta, raporton televizioni publik serb.

Siç raportojnë mediat serbe, më e prekura është zona e Vojvodinës.

Ndryshe, para dy dite një stuhi e fortë ka goditur pjesën veriore të Lombardisë në Itali. Ndërsa, në periferi të Milanos, era e stuhishme që po frynte rrëzonte pemët. Në këtë qytet janë dëmtuar shumë makina dhe dy nënkalime janë përmbytur.

Të goditura nga kjo stuhi kanë qenë edhe vendet ballkanike si; Kroacia, Bosnja e Hercegovina e Sllovenia.

Në Kroaci, disa qytete u goditën nga një stuhi e fortë. Në Rijekë janë shkaktuar dëme të mëdha materiale, ndërsa në Zagreb uji ka depërtuar deri në sallën e kuvendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore