Sport

Strategjia gjeopolitike mes Rusisë dhe EBA, City kërkon aksione te Spartak-u


Disa javë pas marrëveshjes mes Fondit të Investimeve të Arabisë Saudite (PIF) dhe Newcastle-t, një tjetër investim i rëndësishëm pritet të ndodh në futbollin evropian.

“City Football Group”, një nga grupimet më të mëdha, që zotëron klube si Manchester City, New York City, Girona, Melbourne City e disa klube të tjerë në mbarë botën po kërkon të zgjerohet edhe në Rusi.

Sipas medias ruse “Sports.ru” kompania është në negociata të avancuara për të marrë 20% të aksioneve të klubit nga kryeqyteti, Spartak-ut.

Ajo që dihet me siguri deri më tani, nga takimet që janë kryer mes palëve është se emri i klubit nuk do të ndryshojë.

Nëse marrëveshja përfundon me sukses, Spartak-u do të bëhet pjesë e “City Football Group” që është nën drejtimin e sheikëve nga Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA).

Sipas ekspertit të gjeopolitikës së futbollit, profesor Simon Chadwick-ut, një transaksion i tillë shërben për të forcuar lidhjet strategjike mes Rusisë dhe Emiratave.

Njëkohësisht, kompania ajërore “Etihad Airways”, sponsori kryesor i City-t ka marrë terminalin C në aeroportin “Sheremetyevo – A.S. Pushkin” të Moskës. Terminali ndodhet disa kilometra larg stadiumit të Spartak-ut.

Së fundmi, Sergey Shishkarev-i, Presidenti i Federatës Ruse të Hendbollit dhe një nga themeluesit e seksionit të hendbollit në klubin rus është i përzgjedhuri i Emirateve si pikë reference për eksplorimet e tyre në Oqeanin Arktik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore