Muzikë

Stefflon Don kopjon Tayna-n?


Një nga hitet më të dëgjuara të kësaj vere, patjetër që ishte edhe kënga “Taka” e rep artistes së famshme nga Kosova – Tayna.

Këtë më së miri e ka dëshmuar prania e saj e madhe nëpër mbrëmje muzikore dhe koncerte të pothuajse përditshme. Shpesh kishte raste kur ylli i hitit “Columbiana”, performonte dy deri në tre herë brenda 24 orëve.

“Taka” si projekt u tregua i suksesshëm edhe në platformën YouTube, në të cilën numëron mbi 3 milionë klikime.

Madje, suksesi i kësaj kënge që mbi supe mban epitetin e një hiti, duket të ketë bërë jehonë përreth globit!

Kjo pasi që rep artistet angleze, Stefflon Don dhe Ms Banks kanë publikuar bashkëpunimin e tyre më të ri të titulluar “Dip”, e që për “ironi të fatit” ka shumë nuanca të njëjta me projektin “Taka” të Tayna-s.

Kështu të paktën pretendojnë grupet e shumta të fansave në rrjete sociale të rep artistes, Doruntina Shala e njohur si – Tayna, të cilët “akuzojnë” Stefflon Don dhe Ms Banks për inspirim të projektit të tyre të ri.

“Dip” aktualisht numëron afro 5 milionë klikime në YouTube, ndërsa që të dyja video klipet janë të mbushura me vajza të veshura me garderobë transparente duke iu përshtatur stinës së verës. Pos kësaj, Stefflon Don bashkë me Ms Banks, mbajnë në kokë shamitë me stil po si Tayna, dhe e vetmja që i dallon është ngjyra.

Video projekti muzikor “Taka” nga Tayna ishte publikuar me 30 korrik, ndërsa “Dip” i Stefflon Don me Ms Banks, u publikua gati dy javë më vonë, me datën 13 gusht të këtij viti.

Gjithsesi, ju mbetet juve të vlerësoni nëse projektet “Taka” dhe “Dip” kanë ngjashmëri në mes vete, e nëse rezulton që “po”, atëherë i bie që me të vërtetë artistet angleze të jenë frymëzuar nga artistja shqiptare.

Kujtojmë se asnjë nga artistet e përmendura nuk kanë dhënë komente rreth këtyre “akuzave”, të shfaqura tej mase në rrjetet sociale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore