Lajme

Stano për pamjet e publikuar nga Sveçla: BE-ja s’nxiton të dal me përfundime bazuar në një video


Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Peter Stano

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Peter Stano, në konferencë për media është pyetur rreth videos së publikuar të martën nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ku është parë nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiç në Banjskë, duke drejtuar një grup të personave të uniformuar e të armatosur.

Stano, në përgjigjen e tij ka refuzuar që të komentoj ato pamje, duke thënë se vendimet e BE-së nuk bazohen në një video.

“BE-ja nuk nxiton me vendime bazuar në një video”.

“Ne nuk nxitojmë të dalim me përfundime bazuar në një video apo në diçka që është postuar aty këtu. Hetimi duhet bërë plotësisht, që BE-ja të ketë pamje të qartë se çfarë ndodhi dhe kush është fajtor”, ka deklaruar Stano.

Ai tutje ka thënë se ajo cfarë ka ndodhur të dielën e 24 shtatorit në Veri të Kosovës është “sulm terrorist”.

Pamjet e publikuara nga ministri i Punëve të Brendshme.

“Kemi pasur ndryshim shumë të madh të rëndësishëm, pas sulmeve terroriste të së dielës në veri të Kosovës. Për ne është me rëndësi që të bëhet hetim i plotë, të përfundohet hetimi”.

“Kur kemi pamje të plotë e të qartë nga hetimi se çfarë ka ndodhur, kush ishte prapa kësaj, kush është përgjegjës, atëherë do të marrim vendimet e nevojshme. Në këtë moment është me rëndësi të qartësohen gjitha faktet”, ka thënë Stano.

Çka ndodhi të dielën e 24 shtatorit në Veri?

Në fshatin Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator ndodhën sulme terroriste ndaj Policisë së Kosovës, ku u vra polici Afrim Bunjaku, u plagos polici Alban Rashiti si dhe u lëndua një tjetër.

Pas kësaj Policia e Kosovës reagoi duke kërkuar nga terroristët të dorëzohen, ata refuzuan të dorëzohen duke vazhduar sulmet me armë ndaj policisë.

Nga gjuajtjet me armë zjarri, katër terroristë u vranë dhe tetë janë arrestuar, ndërkaq prej katër prej tyre u morr vendim që të lirohen të mërkurën pasi për të njëjtit është thënë se nuk pati prova të mjaftueshme për përfshirjen e tyre në këtë rast.

Lidhur me sulmet terroriste, Policia ka sekuestruar arsenal armësh në Zveçan, të cilat u publikuan gjatë ditës së hënë.

Më 26 shtator, Sveçla publikoi edhe një video të incizuar me dron, ku pretendohet se shihet Radoiçiçi i armatosur në Banjskë.

Lista Serbe partia që ka mbështetjen e Beogradit e as institucionet në Serbi nuk kanë reaguar lidhur me akuzat e Kosovës për përfshirjen e pretenduar të Radoiçiçit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore