Sport

Spektakël në Europa Ligë, United “tërmet” Roma-s, ngec Arsenali


Dy ndeshjet e para të gjysmëfinaleve në Europa Ligë dhuruan spektakël, ku u shënuan 11 gola. Manchester United-i shpartalloi Roma-n me rezultatin 6-2, ndërsa në sfidën tjetër, Villarreal-i arriti të fitoi përballë Arsenal-it.

Në “Old Trafford” Roma-n e ndoqën mallkimet e dëmtimeve. Në minutën e 5 të takimit, mesfushori Jordan Veretout la fushën e lojës dhe në vend të tij hyri Gonzalo Villar-i. Në të 27’ u dëmtua portieri, Pau Lopez-i dhe u zëvendësua nga Antonio Mirante. Dëmtimi i fundit te italianët erdhi në minutën e 37, ku Leonardo Spinazzola u detyrua të linte fushën dhe në vend të tij hyri Bruno Peres-i.

Por, megjithë dëmtimet e herëpasherëshme të ekipi mik, loja vijonte normalisht. Dyshja Edinson Cavani dhe Bruno Fernandes ishin më të mirët në fushë. Në minutën e 9 të takimit erdhi goli i parë. Goli u shënua nga Fernandes-i, pas asistit të Cavani-t.

Roma arriti të shënonte dy gola të shpejtë, për të përmbysur rezultatin që në pjesë të parë. Fillimisht shënoi Lorenzo Pellegrini, për 1-1, në të 15 minutë. Ndërsa, në të 33 minutë, Pellegrini asiston për Edin Dzeko-n, që realizon për 1-2. Me këtë rezultat përfundon dhe pjesa e parë e takimit.

Pjesa e dytë, për vendasit nis me tjetër marsh. Cavani shënon për 2-2 në të 48 minutë, pas asistit të Fernandes-it. Përsëri,  në të 64 minutë, Cavani shënon për 3-2.

Fernandes-i do të shënonte golin e katërt për vendasit të 71 minutë, me anë të një penalltie. Katër minuta më vonë ishte Paul Pogba që shënonte për 5-2, pas asistit të Fernandes-it. Dhe golin që do të vuloste shifrat përfundimtare e shënoi Mason Greenwood-i, pas asistit të Cavani-t.

Në përfundim të takimit, Cavani dhe Fernandes-i ishin lojtarët më të vlerësuar. Sipas Sofascore, portugezi, Fernandes, u vlerësua me notën 10, ndërsa uruguajani, Cavani, u vlerësua me notën 9.5.

Lojtarët më të dobët në fushë ishin dy lojtarët e Roma-s, Bryan Cristante dhe Chris Smalling-u. Të dy u vlerësuan me notën 5.6.

Në sfidën tjetër në Europa Ligë, e luajtur në “Estadio de la Ceramica”, vendasit e Villarreal-it ia dolën të fitonin me rezultatin e ngushtë 2-1. Villarreal-i shënoi dy herë në pjesën e parë. Fillimisht shënoi, Manu Trigueros-i në të 5 minutë, pas një asisit nga Samuel Chukwueze.

Goli i dyte erdhi nga qendërmbrojtësi, Raul Albiol, në të 29 minutë. Albiol-i shënoi pas asistit të Gerard Moreno-s. Ndërkohë, në minutën e 35, VAR anulloi një penallti për Arsenal-in.

Në pjesën e dytë, Dani Ceballos-i la Arsenal-in me 10 lojtarë në fushë, pas kartonin të dytë të verdhë, në të 57 minutë.

Nicolas Pepe do të ngushtonte rezultatin në 2-1, në të 73 minutë. Me golin e Pepe-s, vuloset gjithçka dhe minutat e mbetura nuk prodhojnë ndryshim rezultati.

Lojtari më i vlerësuar i ndeshjes, sipas Sofascore ishte Albiol, me notën 7.6. Ndërsa, më i dobëti në fushë ishte Ceballos-i, me notën 5.5.

Tanimë, sytë e katër skuadrave janë nga ndeshjet e kthimit që do te luhen më 6 maj. Në “Emirates Stadium” Arsenal-i do të presë Villarreal-in dhe në “Stadio Olimpico” Roma do të presë Manchester United-in.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore