Gjykata Speciale

Specialja për Albanian Post tregon pse u ndalua Sami Lushtaku


Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), është deklaruar për marrjen në intervistim të nënkryetarit të Komunës së Skenderajt njëherësh edhe kryetari i degës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Skenderaj, Sami Lushtaku, në zyrat e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), të premten e 8 marsit.

Nga ZPS-ja në një përgjigje me shkrim për Albanian Post kanë thënë se janë duke kryer operacione të vazhdueshme.

“ZSP është duke kryer operacione të vazhdueshme”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Lushtaku u intervistua nga EULEX-i mbrëmjen e së premtes, duke u liruar më pas por që të njëjtit iu konfiskua telefoni.

Avokati i tij Artan Çerkini, para gazetarëve ka deklaruar se veprimi që kanë bërë s’është i ligjshëm.

“Ky veprim bie ndesh me ligjin. Sami Lushtaku nuk e ka statusin e të dyshuarit, prandaj atij i është cenuar privatësia pasi i është marrë telefoni”, ka thënë ai.

Duke shtuar se, “do të paraqesim ankesë në Dhomat e Specializuara”.

Nga EULEX-i për AP kanë thënë se për marrjen në intervistim të Lushtakut mund të përgjigjet vetëm Gjykata Speciale.

“Ju lutem, të kontaktoni me zëdhënësin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Christopher Bennett”, kanë thënë nga EULEX-i.

Në mëngjesin e së enjtes, Gjykata Speciale kishte kryer bastisje tek shtëpia e ish-Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Sylejman Selimi.

Lajmin për bastisjen e shtëpisë së Selimit në lagjen “Veterrnik”, në Prishtinë, për Albanian Post e kishte konfirmuar zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Christopher Bennett.

“ZPS po kryen operacione të vazhdueshme”, ka thënë shkurtimisht Bennett për AP, në një përgjigje me shkrim.

Nga ZPS-ja nuk kanë dhënë detaje të tjera për arsyet e kësaj bastisje.

Po ashtu u raportua se bastisje, hetuesit e ZPS-së, kanë bërë edhe në shtëpinë e ish-Ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, mirëpo i njëjti kishte mohuar një gjë të tillë.

Ai kishte thënë se takimi i tij me ZPS-në ishte për diskutime që i takojnë punës.

“Jo, nuk ka pas bastisje. S’ka pas bastisje, kam pas një kontakt me ta për punën që e bëj atje, por jo as bastisje, as polici as kurrgjë tjetër. Po më vjen keq që e kanë qit lajmin”, ka thënë Kuçi.

Nga ZPS-ja nuk kanë dhënë detaje të tjera për arsyet e këtyre bastisjeve.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më 3 prill të vitit të kaluar në Hagë ka nisur gjykimi ndaj ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit, si të akuzuar për krime të pretenduara lufte.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore