Gjykata Speciale

Specialja bastisë banesën e ish-komandantit të UÇK-së Vllaznim Kryeziu, i konfiskohet telefoni


Ndertesa e Gjykates Speciale

Gjykata Speciale këtë të premte ka bastisur banesën e ish-komandantit të Brigadës 122 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Vllaznim Kryeziu, të cilit i është konfiskuar telefoni.

Lajmi është bërë i ditur nga Andin Kryeziu, vëllai i Vllaznimit përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.

“Vazhdojnë bastisjet e Gjykatës Speciale ndaj çlirimtarëve! Sot me datë 17.11.2023, Gjykata Speciale e Hagës bastisi banesën e ish-Komandantit të Brigadës 122, Vllaznim Kryeziu, ku me ç’rast iu konfiskua telefoni mobil”, ka shkruar ai.

Më 1 nëntor i ishte bastisur edhe shtëpia e Ismail Sylës – ish-këshilltar i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Siç pati njoftuar avokati i Sylës, Artan Qerkini, atij i ishte sekuestruar vetëm telefoni.

Por, Syla s’është i vetmi që është përballur me bastisje, pasi që, të martën e 31 tetorit, bastisje pati edhe në shtëpinë e ish-këshilltarit të Thaçit, Artan Behrami si dhe në shtëpinë e prindërve të tij.

Me urdhër të Speciales, së fundmi pati bastisje edhe në shtëpitë e ish-këshilltarëve të Thaçit, Blerim Shalës dhe ish-shefit të AKI-së, Bashkim Smakajt.

EULEX-i ka kryer bastije edhe në banesën e familjarëve të dëshmorëve, Fahri e Bahri Fazliu, në lagjen “Kodra e Diellit” në Prishtinë, në shtator të këtij viti, nën arsyetimin se të njëjtët kanë tentuar të ndikojnë në dëshmitarë, derisa procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) është duke vazhduar në Hagë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore