Gjykata Speciale

Specialja akoma s’ka vendosur nëse deklarimet e Rron Gjinovcit dhe komentet në statusin e tij përbëjnë bazë të mjaftueshme që t’u vazhdohet paraburgimi Selimit e Krasniqit


Foto nga Albanian Post

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka shfrytëzuar komentet në një status Facebooku të analistit Rron Gjinovci dhe deklarimet e tij në një emision televiziv se në Kosovë “ka terror të fjalës së lirë” si argumente për vazhdimin e paraburgimit për Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin, por Gjykata Speciale akoma nuk ka vendosur nëse do ta pranojë parashtrimin e prokurorisë, apo jo.

Angela Griep, zëdhënësja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, në një përgjigje për Albanian Post, ka thënë se gjykata ende nuk ka vendosur për këtë kërkesë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

“Është nënshtrimi i ZPS-së për shqyrtimin dymujor të paraburgimit të z. Krasniqi dhe z. Selimi”, ka shpjeguar Griep.

“Gjyqtarët ende nuk kanë marrë një vendim për këtë çështje”, pohoi ajo.

Më tej, Griep ka treguar se sipas ligjit, parashihet që “çdo dy muaj Paneli që merret me rastin të shqyrtojë nëse ekzistojnë ende arsyet për paraburgimin e një të akuzuari dhe të nxjerrë një aktvendim me të cilin paraburgimi ose vazhdohet ose ndërpritet”.

“Për të përcaktuar nëse arsyet për paraburgim ekzistojnë ende, gjyqtarët duhet të përcaktojnë nëse vazhdon të ekzistojë rreziku i arratisjes, rreziku që i akuzuari mund të pengojë mbarëvajtjen e procedurës ose rrezikun që i akuzuari mund të kryejë krime të mëtejshme”, ka thënë Griep për Albanian Post.

Por, para se Paneli të marrë vendimin e tyre, të dyja palët, mbrojtja dhe Prokuroria mund të ofrojnë argumentet e tyre përkatëse për këtë çështje në një parashtresë me shkrim”, ka përfunduar zëdhënësja e Dhomave të Specializuara në Hagë.

Në kërkesën e Zyrës së prokurorit të Specializuar në Hagë thuhet se përmbajtja e një shoë televiziv që u transmetua në Kosovë më 4 prill 2023, prezanton qartë shtrirjen e plotë të rrezikut të kërcënimit të dëshmitarëve.

“Një i ftuar në emision (Rron Gjinovci), i cili ka shprehur mendimin se anëtarët e UÇK-së, përfshirë të Akuzuarit në këtë rast, mund të ketë kryer krime, përshkroi ‘terrorin’ mbi lirinë e fjalës në Kosovë lidhur me këtë çështje”, thuhet në parashkrimin e Prokurorisë, ku kërkohet që Selimit e Krasniqit tu vazhdohet paraburgimi.

“I ftuari vazhdoi të tregojë reagimet ndaj një videoje që ai kishte postuar së fundmi në internet, e cila kishte marrë mbi 1400 komente, shumica e të cilave ishin negative, dhe shumë prej të cilave e etiketonin atë me termat e mësipërm, disa shkuan deri aty sa e kërcënon fizikisht”, thuhet më tej në arsyetimin e ZPS-së.

A duhet që Prokuroria Speciale në Hagë të ndërtoj narrativë nga komentet e Facebook-ut?

Anton Nrecaj, avokat dhe njohës i çështjeve ligjore, ka thënë se kjo çfarë po bën Prokuroria Speciale është qesharake.

“Nëse e shohim në aspektin ligjor dhe procedural është e drejtë e prokurorisë speciale të bëjë një gjë të tillë, mirëpo një kërkesë e tillë që të aprovohet duhet të jetë e argumentuar me prova, dhe argumentimin e provave e konstaton gjykata dhe mbrojtja”, ka thënë Nrecaj për Albanian Post.

“Në situatën e tillë bazuar në informacionet që kemi në dispozicion është qesharake dhe aspak profesionale që të aprovohet kërkesa e prokurorisë. Kjo tregon faktin se prokuroria speciale po e luan kartën e fundit për të bindur gjykatën se z. Krasniqi dhe z. Selimi kanë kryer krime për cilat është ngritur aktakuza”.

Nrecaj më tej tregon se fakti që 20 dëshmitarëve të mbrojtur u është refuzuar kërkesa për kompensim tregon se prokuroria nuk ka arritur të bindë gjykatën me dëshmitarë dhe prova.

“Besoj e njëjta gjë do të ndodhë edhe për rastin konkret nga komentet e Facebook – ut pa u verifikuar dhe vërtetuar llogaritë e tilla gjykata do duhej t’i hedhë poshtë si të pa bazuara”, shprehet i bindur Nrecaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore