Lajme

Specializantet në protesta, por të pa përgatitur të punojnë pa mentor


Ilustrim

Të enjten specializantët në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, kanë paralajmëruar protestë për arsyeje të mos pagesave për kujdestaritë 24 orësh, për punën gjatë vikendeve dhe ditëve të festave.

Ndonëse, të mërkurën qeveria ka miratuar vendimin për ndarjen e 430 mijë eurove për pagesën e specializantëve për muajin korrik, kjo nuk i bën specializantët të kënaqur me pagat.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Xhemajl Selmani, shprehet se e gjitha kjo po ndodh shkaku i pagesës së ulët të specializantëve.

“Mos pagesat për kujdestarin 24 orësh, vikendet, ditët  e festave nuk ju paguhen specializantëve, paga e vogël, rrezikshmëria në punë”, janë arsyet kryesore përse Selmani mendon që do të protestojnë specializantët.

Por gjithashtu, “Mos miratimi i ligjit për sigurime shëndetësore, anulimi i ligjit mbi pagat, sistemi i keq i prokurimit, pamundësia për ngritjen dhe edukimin e vazhdueshëm profesional”.

Mirëpo, një hulumtim i realizuar nga Oda e Mjekëve të Kosovës mbi kënaqshmërinë e specializantëve me shkollimin specialistik në QKUK,  tregon se nga 256 specializantë të anketuar, shumica prej tyre nuk janë të gatshëm të punojnë pa praninë e mentorit të tyre.

“14.8% e specializantëve janë shprehur se nuk janë aspak të gatshëm të punojnë të pavarur nga mentori i tyre ndërsa 9.4% janë përgjigjur se janë shumë të gatshëm të punojnë të pavarur nga mentori i tyre” thuhet në anketimin e realizuar nga OMK.

Në pyetjen se a kanë aftësinë doktorët e rinj pas përfundimit të fakultetit të mjekësisë të bëjnë qepje të plagëve, shefet e reparteve u përgjigjën se 93 për qind e doktorëve të rinj nuk e kanë këtë aftësi.

Po ashtu, shefet e reparteve deklarojnë se në rastet e vdekjes 73 për qind e doktorëve që ata monitorojnë, nuk kanë aftësinë që të vërtetojnë vdekjen.

Në një pyetje tjetër, se a kanë doktorët e rinj aftësi për administrimin e terapisë dhe përdorimin e pajisjeve për infuzion, 80 për qind e shefave të reparteve u përgjigjen negativisht, përderisa në të njëjtën pyetje 57 për qind e doktorëve të rijnë thanë që zotërojnë këto aftësi.

Ndërkaq, se a kanë aftësi doktorët të kryejnë konsulta me pacient 66 për qind e shefave të reparteve, janë përgjigjur negativisht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore