Lajme

Spanja paralajmëron se vala e të nxehtit kërcënon prodhimin e vajit të ullirit


Në Spanjë, valët e të nxehtit dhe mungesa e shiut, po kërcënojnë të reduktojnë prodhimin e vajit të ullirit nga eksportuesi kryesor në botë.

Kështu ka paralajmëruar ministri i atjeshëm i Bujqësisë.

“Nëse nuk do të ketë lehtësim të temperaturës ose reshje në javët e ardhshme, korrja e ullirit këtë vit mund të jetë dukshëm më e ulët se më parë”, ka thënë Luis Planas.

Spanja përbën gati gjysmën e prodhimit global të vajit të ullirit.

Pengesa, së bashku me ndërprerjen e vazhdueshme të furnizimit me vaj luledielli nga Ukraina, nënkupton se çmimet e vajrave bimore ka të ngjarë të mbeten të larta.

Sipas Planas, çmimet e vajit të ullirit në Jaén në Spanjën jugore, pikë referimi për vendin, janë rritur me 8.3 për qind në qershor nga viti i kaluar.

327 euro për 100 kilogram, sipas Këshillit Ndërkombëtar të Ullirit.

Në Bari në Italinë jugore, vaji ekstra i virgjër kushtonte mesatarisht 419,7 euro për 100 kilogram.

Furnizimet e vajit të ullirit janë në rrezik pasi veriu i Italisë vuan thatësirën më të keqe në 70 vjet. Burimet e tregut sugjerojnë se prodhimi italian i vajit të ullirit mund të jetë 20 deri në 30 për qind më i ulët se vitin e kaluar.

Sakaq, thatësira pritet të çojë edhe në uljen e kulturave të kajsisë, pjeshkës dhe dardhës.

Në pjesë të mëdha të Evropës, moti i nxehtë kërcënon gjithashtu të prishë prodhimin e drithërave, në një kohë kur çmimet globale të ushqimeve janë afër niveleve rekord si rezultat i pushtimit rus të Ukrainës.

Ky i fundit bëri që çmimi i grurit dhe drithërave të tjera të rritej.

Planas vlerëson se prodhimi i përgjithshëm i drithërave në Spanjë, duke përfshirë misrin, grurin dhe elbin, mund të bjerë me 13 për qind këtë vit në 17.5 milionë ton për shkak të temperaturave të larta dhe reshjeve të pakta.

Në fund të korrikut, Ukraina dhe Rusia arritën një marrëveshje të mbështetur nga OKB-ja për të lejuar eksportin e miliona tonëve drithë nga portet e bllokuara të Detit të Zi.

Çka mund të ndihmojë në uljen e çmimeve dhe shmangien e kërcënimit të një krize globale katastrofike ushqimore.

Qëllimi i marrëveshjes është të sigurojë kalimin e grurit dhe mallrave thelbësore si vaji i lulediellit nga tre porte të Ukrainës, përfshirë Odessa-n.

Nga ana tjetër, zyrtarët shpresojnë se nëse Rusia i përmbahet marrëveshjes, nivelet e eksportit të paraluftës nga tre portet e Ukrainës mund të arrihen brenda javësh.

Për Planas, Spanja ka marrë vetëm një pjesë të vogël të dërgesave të grurit ukrainas duke përdorur rrugë alternative që nga fillimi i pushtimit gjashtë muaj më parë.

Jo më larg se të hënën, Ukraina bëri dërgesën e parë të grurit që kur Rusia pushtoi vendin në fund të shkurtit.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore