Lajme

Spanja e përmbyll, Belgjika nis kryesimin e BE-së – A do të shqyrtohet aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Union?


Glauk Konjufca, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti

Me fundin e vitit 2023 edhe Spanja përmbyll kryesimin e Bashkimit Evropian duke ia dorëzua kështu mandatin Belgjikës për gjashtë muaj.

Gjatë kryesimit të Spanjës nuk pati asnjë hap të vetëm për sa i përket shqyrtimit të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE.

Më 15 dhjetor të vitit të kaluar Kosova dorëzoi zyrtarisht dokumentet e nevojshme për aplikim për anëtarësim në Union.

Që nga ajo kohë e deri më sot dokumentacioni i Kosovës nuk u shqyrtua ani pse kur kryesimin e BE-së e pati Suedia, pati përpjekje që Këshilli i BE-së të shqyrtojë aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE dhe eventualisht t’i japë mandat Komisionit Evropian për të përpiluar mendimin rreth këtij aplikimi.

Por, as Suedia nuk arriti të sigurojë mbështetjen e të gjitha vendeve anëtare për një gjë të tillë, ndërsa Spanja ishte ndër vendet që më së shumti e kundërshtonte këtë.

Tash kur Belgjika merr kryesimin e radhës nuk është e qartë nëse do të kthejë në shqyrtim aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, të dorëzuar në fund të vitit 2022 kur kryesimin e kishte Çekia.

“Kjo është edhe çështje ligjore, pasi pavarësinë e Kosovës nuk e kanë njohur të gjitha vendet anëtare e në zgjerim vendoset me konsensus. Por, është edhe çështje politike pasi lidhet edhe me sjelljen e Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë dhe zbatimin e obligimeve që dalin nga ky proces”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë një diplomat i BE-së.

Belgjika, gjatë kryesimit do të merret edhe me definimin e një agjende strategjike për zhvillimin e BE-së ku zgjerimi do të ketë një vend të rëndësishëm.

Kjo “agjendë strategjike” do ta vendosë bazën për veprimin e BE-së në periudhën nga viti 2024 deri në vitin 2029.

“Paralelisht presidenca do t’u kushtojë vëmendje të veçantë kapaciteteve të BE-së për të integruar anëtarë të rinj dhe të avancojë reflektimet për reformat e brendshme që nevojiten për një zgjerim të suksesshëm në të ardhmen”, thuhet në dokumentin e prioriteteve të presidencës belge të Bashkimit Evropian.

Sa i përket procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian gjatë kryesimit të Belgjikës do të mund të nisin negociatat e anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë, pasi për një gjë të tillë ishte miratuar vendimi në takimin e fundit në dhjetor të Këshillit Evropian. Bosnja e Hercegovina do të vlerësohet në muajin mars për të parë nëse i ka përmbushur apo jo disa kushte për të nisur edhe ajo negociatat e anëtarësimit.

Belgjika ka paralajmëruar se do të vazhdojë thellimin e bashkëpunimit me fqinjët evropianë që nuk janë në BE, nga Zvicra e deri te Ballkani Perëndimor, për t’u përballur me sfidat e përbashkëta si siguria e furnizimit me energji dhe çështjet e migrimit. Po ashtu, Belgjika do të mbajë fokusin e BE-së në forcimin e Aleancën me Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe bashkëveprimin me NATO-n.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore