Shqipëria

SPAK reagon për rastin Ahmetaj – Dosja e ish-ministrit po hetohet më vete në çështjen e inceneratorëve


Arben Ahmetaj po hetohet më vete në rastin e njohur si çështja e inceneratorëve dhe këtë gjë e ka bërë me dije vetë Prokuroria e Posaçme SPAK, përmes një komunikate për shtyp.

Përtej hetimeve të përgjithshme lidhur me inceneratorët, ku disa ish-zyrtarë të lartë, ku përfshihen ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ish-deputeti Alqi Bllako, por edhe shtetasit Mirel Mërtiri, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja, procedimi penal mbi Ahmetajn, po trajtohet më vete.

Madje, në dosjen ndaj tij, është ndryshuar edhe prokurori hetues, ku më parë ka qenë Klodjan Braho, i cili është zëvendësuar me kërkesën e vetë atij nga prokurorja Enkeleda Millonaj.

Kjo gjë është bërë me vendimin e vetë drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, më 30 janar 2023.

“Prokuroria e Posaçme kundërshton çdo tentativë për intimidim dhe sulme personale ndaj prokurorëve të posaçëm që synon t’i kufizojë ata nga kompetenca dhe përgjegjësia e tyre për të ushtruar ndjekjen penale sipas Kushtetutës dhe ligjit”.

Ky është një tjetër paralajmërim që SPAK bën përmes njoftimit, duke ftuar edhe këdo që ka pretendime për veprime proçedurale, që t’i drejtohet organeve kompetente, si Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë.

BKH, kontrolle në rezidencat e Ahmetajt

Byroja Kombëtare e Hetimit, me urdhër nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka zbarkuar në shtëpinë e partneres së ish-zëvendëskryeministrit, Arben Ahmetaj, për kontrolle.

Ky i fundit, është përmendur disa herë lidhur me çështjen e njohur si “inceneratorët”, si një prej ministrave të përfshirë në korrupsion lidhur me ngritjen e impianteve në Elbasan, Fier dhe Tiranë.

Burime për Albanian Post kanë bërë me dije se kontrolle janë kryer edhe në banesën e ish-bashkëshortes së Ahmetajt, ku nuk është gjetur asgjë e jashtëligjshme.

Teksa, nga ana tjetër, në shtëpinë e partneres së tij në zonën e Gjirit të Lalëzit, është gjetur një shumë parash, si edhe janë sekuestruar disa dokumente pronësie, në emër të ish-bashkëshortes së tij.

Këto të fundit, do të shërbejnë për hetime ndaj ish-zëvendëskryeministrit në çështje.

Në javët e fundit, që prej largimit të Ahmetajt nga funksionet si në Qeveri, ashtu edhe nga detyrat kryesore në PS, ka pasur një shtim të retorikës së tij ndaj kryeministrit Edi Rama, i cili po ashtu i është kundërpërgjigjur ish-numrit dy të kabinetit.

Në një intervistë televizive të 16 shkurtit, Rama e bëri të qartë se nën ombrellën e tij politike, nuk mban askënd, i cili mund të dalë fajtor në një çështje gjyqësore, duke iu referuar Ahmetajt dhe rastit të inceneratorëve.

Mbi këtë, vetë Ahmetaj komentoi më 23 shkurt, kur i bëri kryeministrit që më së shumti të kryejë rolin e tij dhe jo atë të gjykatësit.

Teksa, kësaj, Rama i është përgjigjur vetëm sot, gjatë një fjale për gazetarët, ku përsiati se “nëse do të kishte bërë rolin e gjykatësit, gjërat do të kishin qenë shumë më keq sot”.

Pikërisht sot, vjen dhe kontrolli i BKH në banesën e partneres së Ahmetajt, ku pritet ende një shpalosje e gjithë gjetjeve nga ana e Byrosë hetimore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore