Lajme

Spajiç dëshiron më shumë gra në qeverinë e re, partnerët e tij propozojnë kryesisht burra


Milojko Spajiç

Sfidë e re në formimin e qeverisë së re të Malit të Zi mund të jetë përpjekja e mandatarit dhe liderit të Lëvizjes Evropa Tani, Milojko Spajiç, që të ketë në përbërjen e kabinetit të tij 30 për qind gra, raporton media malazeze “Vijesti”.

Sipas informacioneve jozyrtare të kësaj gazete, gjatë negociatave me përfaqësuesit e Koalicionit për Ardhmërinë e Malit të Zi – të njohura për orientimin e tyre pro-ruso-serb – Spajiç tërhoqi vëmendjen e tyre për faktin se kandidatët për poste ministrore kanë qenë kryesisht meshkuj dhe se ai dëshiron që të ketë sa më shumë gra në ekzekutivin e ri malazez.

Kjo edhe ka qenë arsyeja që e ka ngadalësuar pak marrëveshjen në mes të Evropa Tani dhe ZBCG-së.

Spajiç nuk ka përmendur saktësisht për qindjen, por se në negociata iu ka treguar palëve se përfaqësimi i grave është diçka për të cilën do të insistonte.

Gratë në Mal të Zi përbëjnë më shumë se gjysmën e popullsisë, plotë 50.6 për qind. Ato fituan të drejtën e votës në vitin 1946. Ndërsa, që nga ekzistimi i tij si shtet, Mali i Zi ende nuk ka pasur president apo kryeministër grua.

Ndryshe, Milojko Spajiç, si fitues i zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit, javën e kaluar ka marrë mandatin nga Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, për ta formuar qeverinë e re.

Ai ka 90 kohë për ta bërë një gjë të tillë, mirëpo përkundër se e ka përkrahjen nga disa parti të cilat kanë shprehur vullnetin e tyre për tu bërë pjesë e qeverisë së udhëhequr nga ai, ende nuk ka arritur koalicion formal me to.

Atij i nevojiten 41 deputetë nga 81 sa i ka gjithsejtë parlamenti malazez për t’u zgjedhur kryeministër, pra një shumicë e thjesht.

Në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit, Lëvizja Evropa Tani – e udhëhequr nga eksperti financiar, Milojko Spajiç – ka arritur që të marrë numrin më të madh të deputetëve, 23 nga 81 gjithsejtë që i ka parlamenti malazez.

Mirëpo, këto mandate janë të pamjaftueshme për ta formuar qeverinë e vetme, pasi që duhet shumica e thjeshtë, më së paku 41 deputetë.

Nga ana tjetër, Partia Socialiste e Demokratëve – ish partia e Milo Gjukanoviç-it – është renditur forca e dytë, me 21 mandate, e pasur nga koalicioni “Për Ardhmërinë e Malit të Zi” me 15.

Ndërsa, koalicioni në mes të lëvizjes qytetare Ura, e udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Dritan Abazoviç, dhe Demokratët e Aleksa Bekçiç-it, kanë arritur kuotën e 12 mandateve.

Edhe pakicat kombëtare në Mal të Zi kanë marrë një numër të konsiderueshëm mandatesh. Boshnjakët në përbërjen e re të parlamentit malazez do të përfaqësohen me 6 deputetë, ndërsa shqiptarët me 3, 2 prej tyre i ka fituar Forumi Shqiptar – i kryesuar nga kryetari i Tuzit, Nik Gjeloshaj – kurse një mandat e kanë marrë edhe kroatët.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore