Shqipëria

Sot nis zbatimi i Amnistisë Penale, përfitojnë 3 mijë e 800 të dënuar


Këtë të mërkurë do të nisë zbatimi i ligjit për “Amnistinë Penale”.

Nga ky ligj, që u miratua javën e parë të prillit në Kuvend, përfitojnë 1 mijë e 100 të dënuar me burgim, nga të cilët 700 do të lirohen menjëherë, ndërsa 400 të tjerë përfitojnë ulje dënimi.

Po ashtu, nga amnistia përfitojnë edhe 2 mijë e 700 persona në shërbim prove.

Sipas ligjit të zbardhur në fletoren zyrtare, nga kjo amnisti do të përfitojnë personat që u ka marrë formë të prerë dënimi deri në datën 31 mars 2024.

Përfitojnë të dënuarit burra që u kanë mbetur pa vuajtur më pak se 4 vjet dhe gratë e të miturit që u kanë mbetur 5 vite. Përfitojnë gratë që janë mbi 50 vjeç, burrat mbi 60 vjeç dhe personat që kanë qenë nën moshën 18 vjeç kur kanë marrë dënimin.

Amnistia shtrin efektet në vetëm 5% të veprave penale që ka Kodi Penal, ndërsa 95% të veprave të tjera nuk do të jenë në efektet e amnistisë. Ulja e dënimit dot të jetë në 1.5 vite për burrat dhe 2 vite për gratë si masë lehtësuese. Për vepra të lehta penale amnistia shtrihet vetëm për kundërvajtjen penale që është 2 vjet.

Nga ndjekja penale me këtë amnisti do të përjashtohen të gjitha kallëzimet për disa lloje veprash penale të kryera gjatë grumbullimeve dhe manifestimeve të zhvilluara deri në datën 31 mars 2024. Nga amnistia do të përfitojnë 11 gra, dhe 11 të mitur që lirohen menjëherë.

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë pasditen e 4 prillit ka vendosur që të miratojë draftin e propozuar për Amnistinë Penale.

Kështu një pjesë e opozitës dhe mazhoranca bashkuan votat e tyre duke rezultuar në vota 11o pro, një kundër dhe një abstenim.

Bashkëpunimi për këtë pikë do t’i falë lirinë 700 personave teksa 400 të tjerë përfitojnë ulje dënimi.

Përmes kësaj amnistie përfitojnë nga falja totale e dënimit burrat e dënuar me katër vjet ose më pak vite burg, për dënime të dhëna dhe që kanë marrë formë përfundimtare deri më 31 mars 2023, ndërsa gratë përfituese do jenë ato që kanë deri në pesë vite dënim.

Vetë ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, deklaroi se protestuesit e opozitës do të përfitojnë gjithashtu nga amnistia penale.

Nga foltorja e Kuvendit, Manja u shpreh se do të përjashtohen kallëzimet për veprat penale të kryera në protestat e zhvilluara deri më 31 mars të vitit 2024.

Sipas Manjës, do të pushohen 232 çështje penale.

Ai këmbënguli se nga kjo amnisti nuk do të përfitojnë personat e dënuar me burgim të përjetshëm, që i shmangen drejtësisë dhe nuk do të përfitojnë as nga amnistia por as ulje dënimi personat e dënuar nga GJKKO-ja.

Më tej, ministri theksoi se, sipas kritereve të përcaktuara në draft përjashtohen nga vuajtja e dënimit edhe burrat kur në datën e hyrjes në fuqi të amnistisë, u ka mbetur pa kryer deri në katër vjet burg, ndërsa grave kur u ka mbetur pesë vjet. Përfshirë gjobën apo dënimet alternative.

Përfitues nga amnistia janë gratë mbi moshën 50 vjeç ose mbi këtë moshë, ndërsa për burrat efekti do të jetë kur janë mbi 65 vjeç.

Nga amnistia do të përfitojnë edhe të miturit apo ata që kanë qenë 18 vjeç në kohën që kanë kryer veprën penale, ose nën këtë moshë

Manja vuri edhe një herë ne dukje se nuk do të përfitojnë falje të dënimit përqindja më e madhe e veprave penale, që përfshin ato më të rëndat që nisin që nga krime kundër njerëzimit, krime kundër jetës, krime kundër autoritetit të shtetit ku përfshihet edhe korrupsioni, terrorizmi dhe shumë e shumë kategori veprash penale, mbi 240 të tilla.

“Nuk përfitojnë amnisti, as falje e ulje të dënimit dhe as përjashtim nga ndjekja penale të atyre që i janë shmangur drejtësisë. Personat që i shmangen drejtësisë, ata që janë arratisur, që kanë dijeni për procesin apo masat ndaj tyre apo vendimet e formës së prerë, dhe i shmangen me vullnet të lirë”.

Vetë kreu i Grupit Parlametar të demokratëve (Rithemelimi) theksoi se grupi i tij ka analizuar të gjitha ligjet për dhënie amnistie në të shkuarën që kanë marrë votat e PS dhe PD, pra një konsensus të gjerë të Kuvendit.

Ai u shpreh se ka dëgjuar gjatë këtyre ditëve që “me propozimin tonë falen të korruptuarit dhe se ne kemi krijuar një aleancë kundër SPAK”.

“Në fakt shqiptarët e dinë se kush është pro SPAK e kush kundër. Ata që s’kanë bërë një kallëzim në SPAK befas na dalin si mbrojtës së SPAK, janë qesharak sepse askush s’ka në dorë për ta mbështetur apo detyruar SPAK”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore