Lajme

Sot mblidhen grupet politike të Parlamentit Evropian, pritet finalizimi i Rezolutës për Kosovën


Ilustrim

Këtë të hënë do të mbahet takimi i përfaqësuesve të grupeve politike të Parlamentit Evropian (PE) ku edhe do të paraqesin draft-propozimet e tyre dhe do të bien dakord për paraqitjen e versionit përfundimtar të tekstit të rezolutës, titulli i plotë i të cilës është “Rezoluta për zhvillimet e fundit në dialogun Serbi-Kosovë, përfshirë situatën në komunat në veri të Kosovës”.

Dy prej grupacioneve më të mëdha në PE – Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) dhe Partia Popullore Evropiane (EEP) – kanë përfunduar draftin e rezolutës për marrëdhëniet Kosovë-Serbi, në të cilën do të kërkojnë vendosjen e masave ndëshkuese ndaj Serbisë pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit në pjesën veriore të Kosovës.

EEP-ja, grupi i cili dominon ulëset në PE, sipas burimeve të rrjetit ballkanit të lajmeve “N1“, ka konsideruar se mbështetja e autoriteteve serbe për autorët e sulmit terrorist të 24 shtatorit duhet të dënohet, por nuk do të insistojnë në gjuhë të ashpër apriori ndaj Serbisë, për shkak të kundërshtimit të disa eurodeputetëve, të cilët vijnë nga vendet që s’e kanë njohur Kosovën.

Nga ana tjetër edhe “Aleanca 90/Të Gjelbërit” ka shprehur pajtueshmërinë e saj që Serbia duhet të ndëshkohet, por vetëm nëse hetimi tregon lidhjen e shtetit serb me sulmin terrorist në Banjë, ndërsa socialdemokratët kanë insistuar se Serbia është de fakto përgjegjëse për ngjarjet vdekjeprurëse të 24 shtatorit dhe së këndejmi, ajo duhet të dënohet menjëherë.

Në mesin e grupeve të ndryshme politike në PE ekziston një konsensus se masat ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës në muajin qershor duhet të hiqen, transmeton televizioni serb, ndaj pritet që gjatë harmonizimit të versionit përfundimtar të tekstit të rezolutës, kjo ide do të gjejë mbështetje të mjaftueshme në mesin e eurodeputetëve.

Gjithashtu, shumica e deputetëve socialdemokratë kanë insistuar në përfshirjen në rezolutë të një dënimi të qartë të retorikës dhe veprimeve të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, duke e konsideruar presidentin serb një faktor destabilizues, por kjo, për momentin, nuk ka mbështetjen e grupeve të tjera politike, sipas burimeve të televizionit serb.

PE-ja do të votojë për rezolutën për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë në seancën e dytë plenare të tetorit në Strasburg që pritet të mbahet më 19 tetor. Debati për dokumentin është mbajtur të martën e 3 tetorit, një ditë pas kërkesës së socialdemokratëve në PE që debati të kthehet në rezolutë.

Ekziston po ashtu një konsensus midis grupeve politike që përveç dënimit për sulmin terrorist në Banjë, të kërkojnë edhe bashkëpunimin e plotë të Kosovës dhe Serbisë në hetimin e ngjarjes në Banjë, duke përfshirë ndjekjen penale dhe ekstradimin e personave përgjegjës.

Rezoluta e PE-së “apelon fuqishëm” tek të dyja palët të bëjnë gjithçka që të ulin tensionet dhe të mos ndërmarrin hapa që do të çonin në përkeqësim të situatës, kërkon që Kosova dhe Serbia të përmbushin propozimet e BE-së për de-përshkallëzimin e situatës  dhe të kthehen në tryezën e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Mbetet e paqartë se deri në çfarë mase eurodeputetët do të fajësojnë institucionet e BE-së për rrjedhën e tensionuar në marrëdhëniet mes Kosovë dhe Serbisë, sepse siç ka raportuar televizioni serb, shumica e tyre në debatin e mbajtur dy javë më parë kanë theksuar përgjegjësinë e BE-së në radhë të parë për mungesën e rezultateve në dialogun Prishtinë-Beograd.

Ndër të tjera, disa eurodeputetë kanë kërkuar llogari personale nga Emisari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, por siç transmeton televizioni serbe, ata kanë rënë dakord të mos insistonin që emri i tij të përfshihej në rezolutën e PE-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore