Lajme

Sondazhi: Serbia – kërcënimi kryesor për Kosovën, Shqipërinë dhe Bosnjën


Ilustrim

Një sondazh i Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI), i cili pritet të pubikohet së shpejti, zbulon se në tre vende të Ballkanit Perëndimor, shteti serb vlerësohet të jetë kërcënimi kryesor: një shumicë dërrmuese prej 83 për qind në Kosovë u shpreh se vendi rrezikohet nga Serbia, pasuar nga rreth 36 për qind në Shqipëri dhe rreth 27 për qind në Bosnje-Hercegovinë.

Në Serbi, rreth 35 për qind e qytetarëve serbë konsiderojnë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) janë kërcënimi kryesor për vendin, ndërsa në Mal të Zi, qytetarët malazezë janë të ndarë se kush paraqet kërcënimin më të madh: rreth 19 për qind për SHBA-të dhe rreth 17 për qind për Rusinë, kurse rreth 10 për qind e konsiderojnë Serbinë fqinje kërcënim për vendin.

Bullgaria, për 23 për qind të maqedonasve, paraqet kërcënimin më të madh për vendin, pasuar nga Rusia (12 për qind) dhe Kosova (10 për qind). Gjithashtu, sondazhi jep edhe disa rezultate mbi marrëdhëniet shtetërore. Në Kosovë, mbështetja për SHBA-të është e jashtëzakonshme – rreth 80 për qind e kosovarëve e konsiderojnë aleatin më të rëndësishëm të vendit.

Një rezultat i ngjashëm është edhe në Shqipëri – rreth 58 për qind e shqiptarëve e konsiderojnë SHBA-në aleatin më të rëndësishëm, pasuar nga Italia (10 për qind) dhe Turqia (8 për qind) në vendin e dytë dhe tretë, ndërsa një e treta e qytetarëve malazezë (32 përqind) e konsiderojnë Serbinë aleatin kryesor, pasuar nga SHBA-të (20 për qind) dhe Rusia (9 përqind).

Në krahasim me pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor, një përshtypje krejt tjetër e japin shumica e qytetarëve serbë, të cilët e shohin Rusinë aleatin kryesor të Serbisë, përkatësisht rreth 46 për qind prej tyre, pasuar nga Kina (14 për qind) dhe Hungaria (5 për qind). Gjithashtu, niveli i përkrahjes për integrimet evropiane mbetet shumë i ulët në Serbi në krahasim me rajonin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore