Lajme

Sondazhi i Institutit Amerikan: Kurti mbetet politikani më i besueshëm në Kosovë – bien numrat sa i përket kënaqësisë me drejtimin që ka marrë shteti dhe zhvillimit të demokracisë


Sondazhi

Qendra Ndërkombëtare Republikane për Vështrime mbi Hulumtimet e Anketave ka publikuar sondazhin e fundit për Ballkanin Perëndimor, sa i përket intervalit kohor ndërmjet 30 dhjetorit të vitit 2021 dhe 20 shkurtit 2022.

Të dhënat janë mbledhur përmes intervistave në shtëpitë e të anketuarve, përmes metodës së krijuar për të dhënë mostra përfaqësuese në çdo vend. Vendet e anketuara ishin Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia.

“Kërkimi ynë tregon qartë se shumica e njerëzve në Ballkanin Perëndimor dëshirojnë një lidhje të fortë me demokracitë e suksesshme dhe shoqëritë e lira”, ka thënë Paul McCarthy, drejtor Rajonal për Evropën në këtë qendër.

“Edhe para agresionit të Putinit, të anketuarit në rajon mendonin se e ardhmja e tyre ishte me Perëndimin”.

Në përgjithësi, 42% e qytetarëve të Kosovës kanë thënë se Kosova po shkon në drejtim të duhur, përkundër 55%, të cilët mendojnë se vendi po shkon në drejtim të gabuar. Qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë, me 68%, mendojnë se Kosova po shkon në drejtim të gabuar, vetëm 25% u shprehën optimistë për drejtimin e duhur të vendit.

Por, krahasuar me sondazhin e njëjtë të dy viteve më parë (2020), shifrat janë më negative. Në vitin 2020 ishin 46% që mendonin se Kosova po shkon në drejtimin e duhur.

Sondazhi

Shumica shqiptare në Kosovë mendon se të rinjtë kanë një të ardhme të mirë në vendin e tyre me 57%, kundrejt 40% e të anketuarve që mendojnë se nuk kanë të ardhme të mirë në Kosovë. Pakica serbe me 78% është shprehur se nuk kanë të ardhme të mirë në Kosovë, vetëm 22% u shprehën pozitivisht.

Në raport me këtë pyetje shifrat nuk kanë lëvizur nga viti 2020.

Ekonomia, papunësia, çmimet e larta dhe korrupsioni mbeten ndër problemet kryesore për t’u përballur në Kosovë dhe ndër prioritetet që Qeveria duhet t’iu adresohet menjëherë.

Sa i përket lirisë së mediave, 24% e qytetarëve të Kosovës mendojnë se mediat janë të lira, 56% mendojnë se janë pjesërisht të lira, 14% mendojnë se janë pjesërisht jo të lira, kurse 5% mendojnë se nuk janë të lira fare.

Këto shifra janë më të mira krahasuar me dy vite më parë. Në vitin 2020, 23% mendonin se mediat janë shumë të lira, 54% se janë disi të lira dhe 16% disi jo të lira me 4% që besonin se nuk janë aspak të lira.

Një nga çështjet, në të cilat është pësuar rënie domethënëse në Kosovë, është kënaqësia ose pakënaqësia me mënyrën se si po zhvillohet demokracia.

Në pyetjen se “sa të kënaqur apo të pakënaqur jeni ju me mënyrën se si po zhvillohet demokracia në vendin tuaj?”, në sondazhin e këtij viti 10% thonë se janë shumë të kënaqur, ndërsa 48% janë përgjigjur se janë disi të kënaqur.

Sa i përket vitit 2020, 11% ishin shumë të kënaqur, kurse 59% disi të kënaqur.

Sondazhi

Në anën tjetër, Kosova, përkundër se ka 1% rënie nga viti 2020, prapë mbetet vendi në Ballkanin Perëndimor që beson më së shumti se demokracia është forma më e mirë e qeverisjes.

74% e qytetarëve besojnë kështu, në raport me shtetet e tjera si në Bosnje, ku përqindja pro demokracisë është vetëm 47%, në Mal të Zi 53%, në Maqedoni 45% dhe në Serbi 57%.

Gjithashtu, qytetarët besojnë se Kosova është afër të qenit një vend demokratik me 36%, demokraci me të meta 34%. Vetëm 18% mendojnë se Kosova është vend demokratik.

Kosovarët i besojnë më së shumti kryeministrit Albin Kurti, i cili prin listën me 28%, e ndjekur nga presidentja Vjosa Osmani me 15%. Për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi, qytetarët e Kosovës kanë shprehur besueshmëri respektivisht me 9% dhe 7%.

Besueshmëria, sipas kësaj ankete, për krerët e opozitës është relativisht e vogël.

Sipas anketës, kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikut, qytetarët e Kosovës i besojnë 6%.

Në nivel të njëjtë qëndrojnë Ramush Haradinaj dhe Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, me nga 4%.

Kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqit, me 3%, kreut të NISMA për Kosovën, Fatmir Limaj me 2%, Bedri Hamzës me 2%, kurse 27% janë shprehur se nuk i besojnë asnjërit.

Edhe këtë vit, qytetarët e Kosovës shprehin besueshmërinë të lartë për ushtrinë me 47% në kuadër të institucioneve shtetërore, kurse paritë politike mbeten me besimin më të ulët sipas të anketuarve.

Ajo që mbetet e rëndësishme është mbështetja për Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 81% të të anketuarve. Qytetarët e Kosovës janë shprehur në favor edhe të presidentit amerikan Joe Biden me 65%.

Sa i përket influencës në Kosovë, 62% e të anketuarve mendojnë se Shqipëria është vendi me influencuën më të madhe, kurse Serbia më së paku me vetëm 6%.

Në këtë anketë 77% e qytetarëve janë shprehur pro drejtimit perëndimor të Kosovës, kurse në Serbi 38% janë shprehur se Perëndimi dhe Rusia duhet të mbështetën në mënyrë të barabartë.

Në përgjithësi, në Ballkanin Perëndimor, anketa gjeti mbështetje të fortë për iniciativën për Ballkanin e Hapur. Një shumicë e njerëzve të anketuar në Bosnje me 68%, Mali i Zi 66%, Maqedonia e Veriut 61% dhe Serbi 75% mbështesin iniciativën, me Kosovën si vendin e vetëm me 42% mbështetje.

Kur flasim për sigurinë në vend, 77% e qytetarëve ndihen të sigurt, kurse 49% e qytetarëve serbë në Kosovë ndihen të pasigurt.

Ajo çka bie në sy është se nuk shihet një konflikt i armatosur në të ardhmen. Vetëm 5% e të anketuarve në Kosovë mendojnë se do të ketë konflikt dhe vetëm 2% në Serbi.

Në Kosovë vazhdon mbështetja drejt anëtarësimit në NATO me 75%, kundrejt Serbisë me vetëm 3% pro anëtarësimit në NATO.

Metodologjia e sondazhit

Sondazhi është realizuar në kuadër të qendrës së institutit “Center for Insights in Survey Research” nga Ipsos Stregic Marketing, nga 30 dhjetori e deri më 20 shkurt. Të dhënat janë mbledhur me metodën e intervistës fizike – fytyrë me fytyrë – në shtëpinë e respondentëve me një metodë që e shpërndan mostrën në gjithë territorin dhe tek të gjitha nacionalitetet.

Madhësia e mostrës ka qenë diku mes 1008 deri 1520 dhe margjina e gabimit mes 2.9 deri 3.5 për qind.

Klikoni këtu për të parë të gjitha rezultatet me grafikone.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore