Sport

Son bën heroin, Tottenham-i merr fitoren e radhës në Premier League


Skuadra e Tottenham-it ka lënë pas krahëve humbjen në UEFA Conference League dhe është rikthyer te fitorja. Fitore e cila është e dyta radhazi në Premier League, pas asaj ndaj Leeds-it.

Djemtë e udhëhequr nga Antonio Conte fituan me rezultatin 2-0 përballë Brentford-it në javën e 14 të kampionatit.

Koreano-jugori, Heung-Min Son, ishte heroi i vendasve në këtë takim. Me një gol dhe një “asist”.

Goli i parë i takimit erdhi në minutën e 12, si pasojë e autogolit të Sergi Canos-it. Son-i ishte ai që krosoi topin në zonën kundërshtare, të cilin lojtari mik e dërgoi në rrjetë.

Në pjesën e dytë do të vinte edhe goli i Son-it. Në minutën e 65, mbrojtësi spanjoll Sergio Reguilon e nxjerr të vetëm përballë portierit koreano-jugorin. 29-vjeçari nuk e pati të vështirë ta dërgonte topin në rrjetë.

Me tri pikët e fituara në këtë takim, Tottenham-i i Conte-s shkon në kuotën e 22 pikëve në vendin e gjashtë në renditje. Spurs kanë një ndeshje pa luajtur, atë përballë Burnley-t. Brentford-i qëndron në vendin e 12 me 16 pikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore