Lajme

SNF: Vuçiç pësoi debakël nga serbët e Kosovës – vetëm 17% e numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar votuan për të


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Forumi Kombëtar Serb (SNF) ka njoftuar këtë të enjte se lista zgjedhore e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, “Serbia nuk guxon të ndalet”, në zgjedhjet e 17 dhjetorit ka pësuar debakël nga votuesit serbë të Kosovës.

Nga ky forum kanë vlerësuar se serbët e Kosovës kanë injoruar “të padiskutueshmin Aleksandër Vuçiç dhe kërcënimet e tij”, derisa kanë thënë se Partia Progresive Serbe (SNS) – partia e Vuçiç-it – “nuk ka legjitimitet”.

Ata kanë theksuar se nga numri i përgjithshëm i votuesve serbë nga Kosova, vetëm 17 për qind kanë votuar për listën e Vuçiç-it.

“Nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar (94,161), në zgjedhje kanë marrë pjesë vetëm 23,878 ose 25,36 për qind, ndërsa Vuçiç ka marrë 17,087 vota”, ka njoftuar SNF.

Në zgjedhjet e 17 dhjetorit në Serbi, pasi që Kosova nuk e kishte lejuar organizmin e tyre në territorin e saj, serbët që jetojnë në Veri ishin nisur me dhjetëra autobusë nga stacioni i autobusëve në Mitrovicë të Veriut për të marrë pjesë në atë proces.

Qytetarët serbë nga Mitrovica e Veriut, Zveçani dhe Leposaviqi kishin votuar në Rashkë, ndërsa ata nga Zubin Potoku në Tutin, por kishte pasur qendra të votimit edhe në Kurshumli e Vranje.

Presidenti serb Vuçiç, është akuzuar vazhdimisht se po i përdorë serbët e Kosovës për interesa të tij politike, duke krijuar kështu kriza të njëpasnjëshme në Veriun e banuar me shumicë serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore