Lajme

“S’mund të ulesh në dy karrige”, Grliç Radman: Ballkani Perëndimor duhet të vendosë sanksione ndaj Rusisë


Gordan Grliçl Radman

Ministri i Punëve të Jashtme të Kroacisë, Gordan Grliçl Radman, gjatë fjalës së tij në Forumin e Dubrovnikut në Kroaci, ka thënë se vendet e Ballkanit Perëndimor, nëse duan të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian, duhet të jenë në përputhje me politikat e Unionit, që nënkupton vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse, pas agresionit të saj në Ukrainë.

“Nëse vendet e Ballkanit Perëndimor kanë vendosur të jenë pjesë e Bashkimit Evropian, ato duhet ta ndjekin atë në mënyrë rigoroze dhe të përputhen me politikat e BE-së”, tha ai.

Ndërkaq, kryediplomati kroat theksoi se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet që ta dënojnë njëzëri agresionin rus, për të treguar kështu solidaritet me Ukrainën.

“Është e pamundur të ulesh në dy karrige. Të gjitha vendet duhet të dënojnë agresionin rus, të vendosin sanksione, të tregojnë solidaritet ndaj Ukrainës dhe të promovojnë stabilitetin rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë”, shtoi ai në panelin “Ballkani Perëndimor: Momenti i Ri Euro-Atlantik”.

Interesi kombëtar i Kroacisë, pohoi Grliç Radman “është një fqinjësi e sigurt dhe e qëndrueshme”, duke shtuar se shteti që ai përfaqëson  mund të ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor me “dije, ekspertizë dhe përvojë” në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Ndryshe, pas agresionit rus, vendet e Ballkanit Perëndimor, përjashto Serbinë, dhe Bosnje e Hercegovinën – për shkak të presidentit ultra-nacionalist të Republikës Srpska – entiteti serb në BeH – Millorad Dodik – i kanë vënë sanksione Federatës Ruse, pas agresionit të saj në Ukrainë, duke u rreshtuar kështu në një linjë me politikat e vendeve perëndimore.

Serbisë vazhdimisht i është bërë thirrje nga bashkësia e organizuar ndërkombëtare që t’i bashkohet sanksioneve ndaj Rusisë, mirëpo deri më tani ajo ka refuzuar që ta bëjë një gjë të tillë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore