Lajme

Sky News: Kurti i frustruar me ndërkombëtarët, kërkon qëndrim më të ashpër ndaj Serbisë


Kryeministri i Kosoves, Albin Kurti.

Mediumi prestigjioz britanik “Sky News”, në një intervistë që e ka pasur me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ai është shfaqur i “indinjuar” dhe i “frustruar” me komunitetin ndërkombëtar.

Kjo për faktin se Kurti, ka kërkuar reagim më të ashpër të tyre kundrejt Serbisë, të cilën e ka bërë përgjegjëse për sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjë të Zveçanit më 24 shtator.

“Ata [Serbia] mohojnë sepse po luajnë me librin e lojërave të [Vladimir] Putinit në Donbas. Burra të veshur me të gjelbër në pjesën Veriore të Kosovës. Jo pak, por njerëz të gjelbër që donin të fillonin një luftë dhe ta ndanin Kosovën”, thënë Kurti.

Institucionet e Kosovës e kanë akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë për sulmin terrorist, teksa kanë kërkuar nga bashkësia e organizuar ndërkombëtare që t’i vendosin sanksione Serbisë.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, e kanë dënuar sulmin terrorist, ku si pasojë mbeti i vrarë rreshteri, tanimë heroi Afrim Bunjaku, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Sa i përket masave të mundshme ndëshkuese ndaj Serbisë, pas kësaj ngjarje, nga BE-ja kanë thënë se janë duke i pritur që të bëhen të gjitha hetimet, dhe pastaj të vendosin për këtë çështje.

“Hetimet se çfarë ka ndodhur janë në proces e sipër dhe nuk ka përfundime ende dhe hetimet po bëhen krejtësisht nga Policia e Kosovës e asistuar nga EULEX-i dhe KFOR-i”, kishte deklaruar zëdhënësi i BE-së, Petar Stano në konferencë për media më 26 shtator.

“Përderisa hetimet po vazhdojnë, ne nuk do të bëjmë vlerësime të asaj se çfarë ka ndodhur në terren dhe nuk do të japim konkludime derisa hetimet vazhdojnë. Duhet të shohim faktet konkrete, duhet të shohim se kush e ka organizuar dhe ekzekutuar këtë sulm terrorist dhe përgjegjësit duhet të sillen para drejtësisë. Në këtë Bashkimi Evropian është shumë i qartë. Për ne është shumë e rëndësishme që të kemi të gjitha faktet përpara. Çfarë ndodhi, si ndodhi, kush saktësisht e organizoi këtë sulm terrorist?”, pohoi Stano.

Çfarë ndodhi?

Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit, ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, Afrim Bunjaku.

Kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç u arrestua të martën nga autoritetet serbe, për t’u liruar një ditë më pas.

Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë.

Përveç kësaj, Beogradi zyrtar, pas sulmit terrorist, dislokoi një numër të madh të trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Ky veprim i Serbisë nxiti reagimin e bashkësisë ndërkombëtare, të cilët kërkuan që menjëherë të zvogëlohet numri i trupave ushtarake.

Pas këtyre thirrjeve të qarta të ndërkombëtarëve, Beogradi njoftoi se ka filluar reduktimin e trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore