Lajme

“Skifter” para mediave të Kosovës, “pulë” në mediat ndërkombëtare


Albin Kurti

“Nuk është në rregull në televizionet lokale e këtu në parlament skifter e para mediave të huaja pulë”, deklaronte Albin Kurti, asokohe deputet i Lëvizjes Vetëvendosje në një seancë parlamentare në Kuvendin e Kosovës.

Çështja e debatit ishte një intervistë e ish-kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, për një medium ndërkombëtar.

Sipas Kurtit, në atë botë nën petkun e liderit opozitar, deklarata e Thaçit “unë kam qenë larg nga frontet e luftës” nuk ishte korrekte.

Kjo pasi që e njëjta, “shfaqte dyfytyrësinë e tij”.

Thaçi në Kosovë, sipas Kurtit, mburrej me kontributin e tij në luftën e UÇK-së, e jashtë të njëjtën gjë e mohonte vetëm e vetëm për t’u shfaqur më konstruktiv në sytë e ndërkombëtarëve.

Ky të paktën ishte pretendimit i Kurtit.

Po në të njëjtën situatë, pak më shumë se 7 vjet më vonë, historia me “skifter” e “pulë” po përsëritet.

“A do ta dëgjoni Amerikën a po prishemi me Amerikën a po kupton. Nuk ndodhin këto gjëra, e kuptoni nuk kemi ne kështu raporte me Shtetet e Bashkuara të Amerikës siç i përshkruani ju sikurse gjyshi me nipin”, deklaronte Kurti më 7 nëntor në një konferencë për media para gazetarëve kosovarë duke maksimizuar dozën e sovranitet kur në pyetje ishte çështja e targave dhe kërkesa amerikane për shtyrjen e këtij vendimi për të paktën 10 muaj.

“Skifteri” pasqyronte imazhin e një lideri i cili me çdo kusht tentonte ta shtrinte ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë në tërë territorin e Kosovës.

Por, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për intervistën e tij të fundit para një gazetari të huaj.

Ai në një intervistë për gazetarin e Frankfurter Allgemeine Zeitung, Michael Martens, ka deklaruar se arsyeja kryesore se pse ka pranuar të bëjë kompromis për çështjen e targave ka qenë paralajmërimi i ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, se situata në Veri të Kosovës “mund të përkeqësohet rëndë dhe në mënyrë të pakthyeshme”.

Përveç kësaj, Kurti ka pranuar se ambasadori amerikan, Hovenier, i cili propozoi shtyrjen e vendimit për targat për të paktën 48 orë pas dështimit të fazës së parë të bisedimeve në Bruksel të hënë për këtë çështje, ka qenë shumë më shumë i informuar se sa vetë ai për situatën në Veri.

“‘Ambasadori amerikan kishte më shumë informacion se unë për situatën në veri’, theksoi  Kurti, duke përmendur ‘shqetësimet e sigurisë’ pa hyrë në detaje”, kishte shkruar gazetari Martens në një postim në rrjetin e tij social në Twitter ku ka njoftuar në pika të shkurtra temat të cilat i ka diskutuar me shefin e ekzekutivit kosovar në një intervistë e cila pritet të publikohet së shpejti në gazetën gjermane.

Kosova dhe Serbia, përkatësisht kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç kanë nënshkruar marrëveshje në Bruksel për de-eskalim ku Kosova heqë dorë nga zbatimi i masave për veturat me targa ilegale, derisa Serbia zotohet se nuk do të prodhojë më të reja.

Sipas marrëveshjes së arritur nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve, pra nuk do ketë gjoba dhe as konfiskime, ndërsa Serbia do të ndalojë lëshimin e targave ilegale me emërtimet e qyteteve të Kosovës.

Qeveria e Kosovës kishte filluar zbatimin e shkallëzuar të vendimit për targat më 1 nëntor – që përfshinin qortime, gjoba dhe më në fund konfiskime – duke shkaktuar protesta dhe dorëheqje masive të policëve, gjyqtarëve, prokurorëve dhe zyrtarëve serbë në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore