Kosova

Skandal: Dhunohet e moshuara nga një vajzë, të tjerat xhirojnë dhe e përqeshin


Foto nga sulmi fizik ndaj të moshuarës në shtëpinë e të moshuarave “Orenda”.

“Kuku”, bërtet një e moshuar e cila është zënë peng nga një vajzë – që nga veshja duket se është punonjëse e institucionit për të moshuar.

Por britmat janë krejtësisht të kota sepse e reja pamëshirshëm vazhdon ta godas.

“Çka po sillka more”, thotë një tjetër vajzë që xhironte dhunën që po ushtrohej brutalisht.

Me shumë gjasë, ngjarja ndodhte brenda ambientit të Shtëpisë për të Moshuar në këtë qytet.

Në videon e publikuar vajza s’pushon së godituri, derisa e moshuara dëshpërimisht kërkon t’i ikën.

“Pak jom t’u ia hi, qysh di me sill unë, pak jom t’u ia hi”, inkurajohet dhunuesja tashmë e arrestuar nga policia e Kosovës për sulm fizik.

Derisa ajo godet e të tjerat i buzëqeshin aktit barbarë, njëra prej tyre thotë me buzëqeshje se po e xhirojnë rastin “për media”.

Në anën tjetër, sulmuesja vazhdon pos shuplakave që nuk ndalen edhe t’i kërkojë llogari të moshuarës.

“Ti po do m’u shty me mua a, ti?”, thotë ajo.

Kur i duket se nuk mjaftojnë goditjet me dorë, ajo mbështet për muri viktimën dhe sulmon me këmbë.

E godet me gju në barkë.

Pos saj, është arrestuar edhe një person tjetër – motra kujdestare në këtë shtëpi.

Rasti ka ndodhur në Pejë në Shtëpinë e Pleqve “Orenda”, ka konfirmuar Policia e Kosovës për Albanian Post.

“Po mund të ju konfirmoj se i kemi sjellur në stacionin policor këtu në Pejë. Përveç vajzës që ka ushtruar dhunë është arrestuar edhe motra kujdestare që ka qenë në shtëpinë e Pleqve”, ka thënë zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

Edhe Prokuroria e Pejës ka konfirmuar për Albanian Post se ka nisur hetimet lidhur me rastin.

Arrestohet vajza që dhunoi të moshuarën në Shtëpinë e të Moshuarve në Pejë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore