Kosova

S’ka kuorum, dështon mbledhja e Komisionit për Buxhet


Komisioni për Buxhet

Mbledhja e Komisionit parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere, e paraparë të mbahet të enjten, është shtyrë për shkak të mungesës së kuorumit.

Kryetari i Komisionit në fjalë, Armend Muja fillimisht ka thënë se kjo mbledhje shtyhet për në ora 11:00, ndërsa pas orës 11:00 ai sërish ka konstatuar se nuk ka kuorum dhe mbledhja është shtyrë për ditën e hënë.

Në këtë mbledhje të pranishëm ishin deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala e Mergim Lushtaku dhe Pal Lekaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Ndryshe mbledhja e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere dështoi edhe herën e fundit për shkak të mungesës së kuorumit.

Edhe pse ishin prezentë gjashtë anëtarë të Komisionit, aq sa duhet për tu formuar kuorumi, në votimin e pikave të rendit të ditës nuk votoi deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, duke pamundësuar formimin e kuorumit për vazhduar mbledhjen.

Pas përkeqësimit të situatës në Veri të Kosovës dhe vendosjes së masave ndëshkuese nga ana e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, partitë opozitare, kanë vendosur të bojkotojnë punën e Kuvendit të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore