Kosova

S’ka konsensus rreth ndryshimeve në kornizën negociuese për Serbinë – Hungaria pengon përfshirjen e Marrëveshjes Bazë në kapitullin 35


Aleksandar Vuçiç dhe Charles Michel

Akoma nuk është arritur konsensus për miratimin e ndryshimeve të kushteve nga kapitulli 35 në kuadër të kornizës negociuese në procesin e negociatave të anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian (BE), i cili përveçse mbulon kriteret për anëtarësimin e Serbisë, adreson edhe përmbushjen e zotimeve në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.

Radio Evropa e Lirë raportoi të hënën se mes vendeve anëtare të bllokut ende ekzistojnë dallime në qëndrime dhe presidenca belge është duke bërë përpjekje për tejkalimin e këtyre dallimeve. Hungaria, vend nga i cili vjen Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, sipas burimeve diplomatike, vazhdon të jetë ndër vendet që pengojnë miratimin e këtyre ndryshimeve.

Emisari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajcak, në fund të vitit 2023, përmendi fundin e janarit 2024 si afat optimal për formalizimin e Marrëveshjes Bazike (Bruksel, 27 shkurt dhe Ohër, 18 mars) për normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd, duke kushtëzuar rrugën e Serbisë drejt BE-së nëpërmjet zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

“Shtetet anëtare e kanë ngarkuar BE-në që zotimet e Serbisë të përfshihen në Kapitullin 35 të negociatave për Serbinë, i cili mbulon normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, para fundit të janarit 2024. Pra, këtu kemi një afat të qartë kohor për formalizimin e marrëveshjes – pjesë e marrëveshjes kontraktuale me BE-në dhe kritereve të anëtarësimit të Serbisë”.

Në takimin e fundit në muajin dhjetor të vitit 2023, shtetet anëtare obliguan BE-në që ta inkorporojë zbatimin e obligimeve në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi në kapitullin 35 të negociatave për anëtarësimin e Serbisë, ku i kërkohet njohja de-facto e Kosovës, deri në finalizimin e procesit që supozohet të përfundojë me njohje reciproke.

Radio Evropa e Lirë raportoi tutje se propozimi i parë i Komisionit Evropian (KE) për ndryshimet në kornizën negociuese për Serbinë nuk ishte pranuar nga disa shtete. Pastaj, disa vende anëtare kishin bërë propozime të veta dhe për të cilat ishte diskutuar në grupet punese të Këshillit të BE-së që merren me rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe me procesin e zgjerimit.

E burimet diplomatike në BE pohojnë se gjatë muajit prill kjo çështje do të diskutohet nga ambasadorët e BE-së në Komitetit e Përfaqësuesve të Përhershëm të Vendeve Anëtare (COREPER). Serbia i kishte hapur negociatat e anëtarësimit me BE-në në janar të vitit 2014, ndërsa deri tani shteti serb i ka hapur 22 nga gjithsejtë 35 kapitujt e kornizës negociuese për anëtarësim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore