Lajme

“Situatat të njëjta mund të përsëriten, Vuçiç ka kontroll të plotë në veri”, Biber komenton situatën në Veri


Florian Biber

Florian Biber, profesor në Universitetin e Grazit, në një intervistë për Deutsche Welle, duke komentuar situatën e të hënës në Veri të Kosovës, ku protestuesit serbë sulmuan ushtarët e KFOR-it, ka thënë se nuk pret që konflikti të përhapet më tej, “por se incidente të ngjashme me atë të 29 majit do të përsëriten”, duke shtuar se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka “kontroll të plotë” mbi serbët e Veriut.

“Mendoj se duhet të kemi parasysh se probabiliteti që njësitë e ushtrisë serbe të kalojnë kufirin me Kosovën është jashtëzakonisht i vogël, duke pasur parasysh se operacioni paqeruajtës i KFOR-it është në fuqi në Kosovë nën mandatin ndërkombëtar dhe nën udhëheqjen e NATO-s”, shpjegoi Biber.

Profesori austriak beson se gjasat janë të mëdha që tensionimi i situatës që ndodhi të hënën e 29 majit të përsëritet, sipas tij “nëse nuk ka deeskalim mes qeverisë së Kosovës dhe Serbisë”.

“Dhe mendoj se ky është drejtimi në të cilin po lëviz ndikimi i aktorëve ndërkombëtarë. Por kjo në vetvete është shumë destabilizuese si për Kosovën ashtu edhe për gjithë rajonin. Pra, nuk mendoj se do të shohim, një lloj konflikti në shkallë të plotë. Por ajo që po ndodh tani ka pasoja për të dyja vendet”, vlerëson ai.

I pyetur për pjesëmarrjen e ulët të serbëve në zgjedhjet e jashtëzakonshme për katër komunat në veri të Kosovës, të mbajtura me 23 prill, duke e ditur që kështu do t’ia lenin nën udhëheqje komunat shqiptarëve, ai theksoi se “çështja ishte se ato institucione dhe kryetarët e zgjedhur vërtet i mungon legjitimiteti demokratik”.

“Pjesëmarrja ishte dukshëm nën 10 për qind. Në disa raste, si në qytetin e Zveçanit, pjesëmarrja ishte rreth 3 për qind. Pra, fjalë për fjalë rreth 100 njerëz votuan për kryetarin e atij qyteti. Megjithatë, serbët i bojkotuan zgjedhjet pjesërisht me urdhër të Beogradit. Ata insistuan që fillimisht të formohet Asociacioni i Komunave Serbe – kjo është pjesë e marrëveshjes ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”.

“Dhe Kosova i detyroi ato zgjedhje, sepse që nga vjeshta, që nga largimi i serbëve, nuk ka pasur autoritete legjitime të zgjedhura në vend. Pra, në këtë kuptim kemi një ngërç. Pak muaj më parë BE-ja vlerësoi marrëveshjen mes Serbisë dhe Kosovës. Por doli të ishte goxha e pamend, dhe kjo është ajo që po shohim në praktikë tani”, shtoi ai.

Duke pasur parasysh këto, Biber potencon se “në një farë mënyre BE-ja dhe SHBA-ja humbën lidershipin e tyre në përpjekjen për të negociuar mënyrën e duhur për të përmirësuar marrëdhëniet mes dy vendeve”.

Serbët e Kosovës, profesori Bieber nuk i sheh si ndonjë faktorë të rëndësishëm në politkbërjen e brendshme të Serbisë, pasi që ai thotë se janë “vetëm disa mijëra, dhe shtoi se të njëjtit kontrollohen drejtpërdrejtë nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Përkundrazi, është e kundërta, që Serbia, dhe konkretisht presidenti Vuçiç, të ketë kontroll të madh mbi komunitetin serb në Kosovë. Pra, derisa shumë serbë të Kosovës ishin të frustruar nga hapat e ndërmarrë nga qeveria e Kosovës, bojkoti pothuajse i plotë i zgjedhjeve ishte edhe për shkak të frikës, sepse Lista Serbe në veri kontrollohet nga Beogradi, ka kontroll të fortë përmes strukturave kriminale të nëntokës dhe të sigurisë serbe”.

“Prandaj, kjo do të thotë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka kontroll të plotë në veri të Kosovës dhe u jep shumë pak hapësirë ​​serbëve vendas që t’i artikulojnë problemet e tyre politike”, shpjegon Biber.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore