Pajisje

Singapori sprovon robotët për të penguar sjelljen e keqe shoqërore


Në përpjekjen më të fundit për të shtuar më tej portofolin e mjeteve të mbikëqyrjes, Singapori ka nisur të testojë robotë për të patrulluar zonat publike dhe për të penguar sjelljen shoqërore problematike.

Agjencia e lajmeve, “Reuters”, tregon se Singapori, i renditur si një nga vendet më të sigurta në botë, ka vënë në provë dy robotë autonom për të zbuluar sjellje të këqija si shkelja e masave të sigurisë COVID-19, pirja e duhanit në zona të ndaluara dhe parkimi jo i duhur i biçikletave.

Kështu ka bërë me dije ekipi i Agjencisë së Shkencës dhe Teknologjisë në Singapor përmes një deklarate të dielën e 5 shtatorit.

Sipas saj, dy robotët patrullues të quajtur Xavier, janë të pajisur me kamera që mund të zbulojnë sjellje të këqija shoqërore dhe të mundësojnë njoftime në kohë reale në qendrën e komandës dhe kontrollit.

Për sa i përket vënies në zbatim të kësaj prove fillestare, ajo po zhvillohet në një zonë me trafik të lartë këmbësorësh në pjesën qendrore të vendit.

Agjencia ka deklaruar se përgjatë tre javëve, robotët do të përdoren për mbikëqyrje dhe shfaqje mesazhesh për të edukuar publikun mbi sjelljen e duhur. Një zëdhënës i agjencisë ka zbuluar të hënën e 6 shtatorit se gjatë provës, robotët nuk do të përdoren për zbatimin e ligjit.

“Vendosja e Xavier-it do të mbështesë punën e oficerëve publikë pasi do të zvogëlojë fuqinë punëtore të kërkuar për patrullimet në këmbë dhe do të përmirësojë efikasitetin e funksionimit”, ka pohuar agjencia.

Nga ana tjetër, Ministri i Punëve të Brendshme i Singaporit, K Shanmugam, ka thënë më parë se qytet-shteti synonte të kishte më shumë se 200 mijë kamera policie deri në vitin 2030, më shumë se dyfishin e numrit aktual të kamerave të vendosura në të gjithë shtetin ishullor në Azinë Juglindore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore