Lajme

Sindikatat kërkojnë nga Qeveria procedimin e Ligjit të Pagave, për t’i përballuar rritjet e çmimeve të konsumit


Çmime e konsumit kanë shënuar rritje të shpejt javëve të fundit, por jo edhe pagat e mjekëve, policëve, shërbyesve civil, mësimdhënësve.

Kjo për shkak se Ligji i Pagave është stopuar nga Qeveria Kurti, duke mos proceduar tutje.

Ky ligj parasheh nivelizimin e koeficienteve të të gjithë shërbyesve shtetëror që paguhen nga buxheti i Kosovës.

Kryetari i Federatës së Sindikatës së Shëndetësisë në Kosovë, Blerim Syla, është i mllefosur që ky ligj nuk është duke u finalizuar që stafi shëndetësor të kenë paga më të dinjitetshme.

Syla thotë se i kanë dërguar më dhjetëra kërkesa te Qeveria Kurti, por nuk kanë marrë përgjigje konkrete.

“Vetëm një përgjigje që e kemi marrë një zyrtarë i administratës publike dhe pushtetit lokal ka thënë se një grup i ngushtë është duke punuar. Si duket kjo mos transparencë që është duke u zhvilluar, një lojë e ndyrë në kurriz të punëtorëve, sepse Qeverinë Kurti nuk po e procedon Ligjin e Pagave tutje”, ka thënë Syla për Albanian Post.

Kryetari i Federatës së Sindikatës së Shëndetësisë në Kosovë, Blerim Syla

“E kemi mbajtur një protestë dhe ka qenë simbolike, mirëpo ju them me përgjegjësi të plotë se është duke i ardhur fundi këtij durimi të punëtorëve shëndetësor, të arsimit dhe të gjithëve”, ka thënë Syla.

Syla kërkon që sa më shpejt të ndodh rritja e pagave, në të kundërtën, sipas tij, trazirat sociale janë të pashmangshme.

“Sindikata javëve në vijim do të zhvillojë një mbledhje dhe me siguri do të merret vendim për protestën e ardhshme që ka të bëjë edhe më këtë krizë që është duke u thelluar në Kosovë dhe për Ligjin e Pagave”.

Nga Federata e Sindikatave të Shërbyesve Civilë (FSSHC) kanë thënë se ngritja e çmimeve është reflektuar edhe tek shumica e shërbyesve civil, pasi rrogat e tyre nuk janë rritur.

Anëtar i Kryesisë së Federatatës së Sindikatave të Shërbyesve Civilë, Bajram Shala

Bajram Shala, anëtar i Kryesisë së FSSHC-së ka thënë për Albanian Post se kërkojnë mbrojtje dhe trajtim të menjëhershëm nga institucionet për kategorinë e shërbyesve civilë, të cilët gjenden në kulmin e vështirësive financiare dhe sociale.

“Kostoja e shpenzimeve në proporcion me koston e të ardhurave të shërbyesve civilë është në shpërputhje të lartë, prandaj duke parë trendin e rritjes së çmimeve kërkojmë nga Qeveria e Kosovës t’i ndërmarrë të gjithë hapat për të përmirësuar gjendjen e shërbyesve civilë, duke bërë ngritjen e pagave për këtë kategori kundrejt rritjes së çmimeve, në mënyrë që të mundësohet përballimi i kostos së konsumit familjar”, ka thënë Shala.

Në emër të FSSHC, Shala ka kërkuar nga Qeveria që ta përgatisë dhe ta dërgojë sa më shpejtë në Kuvendin e Kosovës Ligjin e pagave për nëpunësit publikë, ku do të përcaktohet nivelimi dhe pagat për secilën kategori.

“Vetëm duke bërë nivelim dhe rritje të pagave për kategorinë e shërbyesve civilë do të evitohen diferencat e mëdha në paga, që ekziston aktualisht në sektorët publikë, e që do të ndikojë në stabilizimin e të ardhurave për të gjithë të punësuarit në sektorët publikë të Kosovës”.

Albanian Post ka kërkuar sqarime edhe nga Qeveria e Kosovës për arsyet e mos procedimit tutje të Ligjit të Pagave, por si gati çdo herë, nuk kanë kthyer përgjigje.

Ndryshe, Ligji i Pagave përcakton pagesat për të gjitha kategoritë e nëpunësve të institucioneve, duke nisur nga presidenti, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri e deri te referenti në institucione.

Me këtë ligj, presidenti i Republikës do të paguhet 2 mijë e 390 euro, kryeministri 2 mijë e 151 euro. Njëjtë sa kryeministri do të paguhet edhe kryetari i Kuvendit, por edhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese.

Ministrat, deputetët e Kuvendit të Kosovës, kryetari i Prishtinës, kryetari i Gjykatës Supreme, kryeprokurori i shtetit, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kryetari i Akademisë së Shkencave, Avokati i Popullit dhe Auditori i Përgjithshëm i Kosovës do të marrin pagë 1 mijë e 912 euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore