Shqipëria

Silva Bino për Albanian Post: “Grupet e riskut do vaksinohen me Pfizer, sepse kemi të dhëna pozitive”


Të hënën e 17 majit në ambientet e Klinikës Ambulatore pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka filluar vaksinimi i grupeve të riskut.

Kujtojmë se vaksinimi i tyre ishte paralajmëruar më herët, por ka filluar zyrtarisht nga e hëna e kësaj jave. Për shkak të ruajtjes së anonimatit, shumica prej tyre do e kryejnë inokulimin e vaksinave në ambientet ambulatore të QSUT-së.

Sipas burimeve zyrtare për Albanian Post nga Instituti i Shëndetit Publik, doza e përzgjedhur për këtë grup është vaksina Pfizer/ BioNTech.

Për të diskutuar mbi përzgjedhjen e vaksinës foli dhe shefja e Departamentit të Epidemiologjisë në ISHP, Prof. Dr. Silva Bino.

“Vaksina Pfizer/ BioNTech është rekomanduar për këtë grup për shkak se kemi të dhëna më të mira në lidhje me mbrojtjen dhe përgjigjen imunitare. Kjo është arsyeja që rekomandojmë vaksinën Pfizer/ BioNTech, por edhe vaksina AstraZeneca ka të dhëna mjaft të mira në lidhje me përgjigjet imunitare te grupet e riskut”, u shpreh Bino.

Cilët janë grupet e riskut ?

Bino sqaroi se grupet e riskut janë personat të cilët kanë përgjigje imunitare më të dobët, për shkak të deficencës imunitare, të lindur apo të fituar. Ata persona të cilët kanë kryer transplante ose marrin medikamente, personat të cilët i nënshtrohen dializës, personat të cilët vuajnë nga sëmundje malinje apo persona të cilët janë obezë të një shkalle të lartë apo kanë sëmundje të tipit diabet të një grade të avancuar.

“Këta janë persona, të cilët kanë një përgjigje imunitare më të dobësuar në përgjithësi”, tha shefja e Epidemiologjisë në ISHP.

Sakaq ajo shtoi se ka dhe persona të tjerë, të cilët vuajnë nga sëmundje auto-imune, persona të cilët vuajnë nga disa sëmundje neurologjike të veçanta, të cilët janë identifikuar për shkak të patologjisë së tyre dhe kjo është arsyeja që rekomandohet ose vaksina Pfizer ose vaksina AstraZeneca.

Vaksinimi në Shqipëri

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu nga Kavaja deklaroi se do të mbërrijnë të hënën e 17 majit 12 mijë e 870 doza të vaksinës Pfizer. Ajo shtoi se këto vaksina do të shpërndahen në të gjithë territorin për të vijuar me vaksinimin e kategorive të planifikuara, si dhe me rivaksinimin.

Në vijim ajo shtoi se mbi 210 mijë qytetarë kanë marrë dozën e dytë të vaksinës. Ndërsa në total janë vaksinuar mbi 669 mijë qytetarë.

Në Shqipëri kanë mbërritur deri tani mbi 760 mijë doza të vaksinave anti-Covid. Ndërsa janë siguruar përmes kontratave të deritanishme, 2.1 milionë doza.

Katër janë vaksinat e përdorura në vendin tonë: Pfizer, AstraZeneca, Sputnik V dhe Sinovac.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore