Lajme

Si u demantua Bislimi për 20 mijë fatura të rrymës në Veri


Besnik Bislimi

Ndonëse zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, e kishte prezantuar si fakt të kryer kur kishte deklaruar se mbi 20 mijë fatura tashmë janë shpërndarë në Veri të Kosovës për konsumin e energjisë elektrike gjatë muajit janar, një konstatim i tillë është demantuar nga kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Ugljanin, i cili ka konfirmuar se faturimi i rrymës në këtë komunë të banuar me shumicë serbe nuk ka filluar ende.

Sipas tij faturimi i rrymës në Veri të Kosovës do të bëhet në fillim të muajit mars, ku të përfshirë do të jenë edhe dy muaj paraprak, ato të janarit e shkurtit.

“Jo, ende nuk ka nisur faturimi, por me datën 22, Kompania Elektrosever do të dalë në terren dhe do të bëjmë regjistrimin e popullatës dhe në fillim të marsit do të bëhet edhe faturimi për dy muajt, sepse edhe janari edhe shkurti do të paguhen paushall nga 20 euro sipas njoftimit të kompanisë”, tha ai në një intervistë për Radio Televizionin Dukagjini.

Se faturat për energji elektrike nuk janë shpërndarë ende në komunat të banuara me shumicë serbe e ka konfirmuar edhe Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE).

Ymer Fejzullahu, kryetar i Bordit të ZRrE-së, i kishte thënë Kosova Press-it se leximi i njehsorëve është në proces e sipër dhe pritet që “së shpejti të shpërndahen faturat në Veri të Kosovës”.

Sipas tij, në bazë të të dhënave preliminare, janë gjithsej rreth 22 mijë konsumatorë në pjesën Veriore, të cilët gjatë këtij muaji duhet t’i shlyejnë borxhet për muajin janar.

Fejzullahu nuk ka dhënë detaje rreth mënyrës së faturimit, sidomos të atyre që janë pa njehsorë, dhe as për çmimin për kilovatë orë nëse do të jetë i njëjtë sikurse në pjesët e tjera të Kosovës, duke thënë se “pret një raport nga Elektrosever-i, KEDS, dhe KOSTT rreth kësaj çështjeje”.

ZRrE demanton Bislimin, në Veri ende s’janë shpërndarë faturat e rrymës  

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, gjatë raportimi në Komisionin për Integrime Evropiane, më 26 janar kishte njoftuar se mbi 20 mijë fatura janë shpërndarë në Veri për konsumin e energjisë elektrike gjatë muajit janar.

“Ky është një lajm i mirë”, kishte thënë ai.

Ndër vite, shpenzimet e bëra në Veri janë paguar nga qytetarët e komunave të tjera të Kosovës, ndërsa nga viti 2017 e këndej nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut i Kosovës (KOSTT) dhe nga subvencionet e Qeverisë së Kosovës.

Për ta zgjidhur këtë çështje, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje në vitin 2013, por ajo nuk u zbatua me vite, derisa dy vendet ranë dakord për një udhërrëfyes për zbatimin e saj në vitin 2022.

Me këtë udhërrëfyes, obligimin për furnizimin dhe faturimin e energjisë elektrike në Ceri e mori kompania serbe Elektrosever, e cila u pajis me licencë të operimit në Kosovë po atë vit.

Pavarësisht kësaj, gjendja nuk ndryshoi deri më 1 janar të këtij viti, kur KOSTT-i lajmëroi se që nga kjo kohë e këndej “energjia e konsumuar në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, do të paguhet njësoj sikurse në pjesën tjetër të shtetit”.

KOSTT-i tha atëkohë se Elektrosever “ka filluar ta marrë përgjegjësinë për konsumin e energjisë në Veri”.

Bislimi: Në Veri janë shpërndarë mbi 20 mijë fatura të rrymës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore