Shqipëria

Si qëndron e vërteta pas arit të Mbretit Zog?


Reagimet pas publikimit të një dokumenti nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) mbi sasinë e arit të marrë me vete nga Mbreti Zog kur u largua nga Shqipëria nuk kanë munguar.

Në të pretendohet se sasia e arit që Mbreti Zog dhe shoqëruesit e tij kanë marrë me vete kur u larguan nga Shqipëria drejt Greqisë në prill të vitit 1939, është shumë herë me e madhe se ajo që dihej.

Por Princ Leka ka reaguar duke thënë se dokumenti ruhet në Arkivin e Shtetit, nuk i jep atij asnjë vlere të shtuar dokumentare, për aq kohë sa nuk mbështetet në pohime dokumentare të tjera, të verifikueshme dhe të kryqëzuara.

Vendi, sipas tij, ka nevojë për ndershmëri intelektuale dhe pedagogji të mirëfilltë në shkrimin dhe transmetimin e historisë.

“Fakti që rrëfimi në fjalë ruhet në Arkivin e Shtetit, nuk i jep atij asnjë vlere të shtuar dokumentare dhe aq më pak e bën të pagabueshëm, të paktën për aq kohë sa nuk mbështetet në pohime dokumentare të tjera”, ka thënë ai.

Po ashtu është shprehur “i keqardhur” që profilet sociale të AQSH-së mëtojnë të bëjnë sensacion me copa letrash, ndërkohë që “AQSH-ja ka për mision të ruaje dhe të vendosë në dispozicion të studiuesve një dokumentacion të plotë dhe cilësor”.

“Vendi nuk ka nevojë për sensacione, ka boll nëpër portale”, ka ravijëzuar Princ Leka në reagimin e tij.

Ndërkohë, Ardit Bido, drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, ka thënë  se ky institucion nuk bën interpretim të dokumenteve, por vetëm i publikon ato.

Bido, lidhur me rastin në fjalë, është shprehur se i takon historianëve për të zbuluar vërtetësinë e dokumentit.

“DPA nuk bën interpretim të dokumenteve, nuk thotë dot për besueshmërinë, ua lë historianëve këtë. Kur vjen fjala tek interpretimi, bëhet në bazë të një mori dokumentesh”, ka thënë ai.

Sipas tij, Italia fashiste dhe qeveria e Tiranës, menjëherë filloi dhe bëri gjueti për të evidentuar problematika në lidhje me mbretin Zog, sepse dëshironte të legjitimonte atë që ndodhi, kalimi i kurorës mbretërore te Viktor Emanueli, dhe më së shumti fokusohej te tentativa që kishte një grabitje nga mbreti.

Për këtë arsye, vijon ai, zhvillohet një hetim për të cilin nuk thotë nëse letra është pjesë e hetimit.

“Ne dinim se ishin 158 kilogramë ar, ndërkohë që sipas këtij dokumenti rezulton të jetë shumë më shumë. Ka disa raportime në lidhje me pasurinë që kishte mbreti në mërgim”, ka shtuar Bido.

Kurse për reagimin e Princ Lekës, ai ka theksuar se Arkivat nuk kanë tejkaluar asnjë kufi dhe se kanë publikuar një dokument, sikundër ndodh edhe për raste të tjera.

“Arkivi është institucion që nuk kalon kufij. Ne pasqyrojmë dokumente siç janë pa i bërë interpretime. Pjesa e interpretimit i përket gjithsecilit, asnjë dokument nuk përbën të vërtetë absolute”, ka thënë Bido.

Por çfarë thuhet në dokumentin e publikuar?

Referuar dokumentit të nxjerrë në median sociale “Facebook”, pretendohet se sasia e arit që Mbreti Zog dhe shoqëruesit e tij kanë marrë me vete kur u larguan nga Shqipëria drejt Greqisë në prill të vitit 1939, është shumë herë me e madhe se ajo që dihej deri më sot.

Dokumenti është shkruar dhe firmosur nga Gjon Lusha dhe është nxjerrë nga fondi i Milicisë Fashiste, ku shkruhet se Mbreti Zog ka marrë 250 mijë napolona ar.

Më 16 shtator të vitit të kaluar, DPA-ja do të zbulonte një tjetër dokument mbi vjedhjen e 23 tonëve ar nga Banka e Shqipërisë.

Ishte viti 1943 dhe një operacion grabitjeje po organizohej nga pushtuesit nazistë.

Kjo e fundit drejtohej nga majori famëkeq i SS-ve, Herbert Kappler.

Ai shërbeu si shef i policisë gjermane dhe shërbimeve të sigurisë në Romë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Sasia e grabitur e arit, sipas DPA-së, përllogaritej të arrinte sasinë e 23 mijë e 408 kilogramëve.

Asetet e çmuara të Shqipërisë u zhvendosën nga kryeqyteti italian drejt “ReichsBank” dhe më pas u fsheh në minierën e kaliumit të Merkens-it të Thuringjisë.

Në vijim, ari u transferua nga aleatët në mënyrë të pjesshme drejt Anglisë dhe Bankës Federale të New York-ut.

Bashkëngjitur dokumentit paraqiten shënime mbi arin rezervë të monedhës shqiptare.

Lëvizjet

Me notën e 3 nëntorit të vitit 1943 drejtuar Kryekonsullatës gjermane, qeveria shqiptare kërkoi që ari të depozitohej në Zvicër.

Kjo, nën argumentimin se si shtet neutral, Zvicra do i jepte besimin mbajtësit të kartëmonedhës shqiptare për sigurimin e kundërvlerës përkatëse.

Një javë më pas, Kryekonsullata gjermane tregoi gatishmërinë për të pritur në “ReichsBank” një komision shqiptar.

Në mars 1944, u nis drejt Berlinit komisioni i zgjedhur, i kryesuar prej Vehbi Frashërit dhe me anëtarë ish-drejtuesit e Bankës Kombëtare të Shqipërisë, Loro Musani dhe Sandro Bressan.

Në pamundësi për ta çuar në Zvicër, ari mund të depozitohej për ruajtje në “ReichsBank” vetëm në emrin e shtetit shqiptar ose në emër të shtetit dhe të Bankës Kombëtare.

Më 6 prill 1944 ari u depozitua për ruajtje pranë “ReichsBank” në Berlin vetëm në emër të Bankës Kombëtare.

Protokolli u lidh mes qeverisë shqiptare dhe asaj gjermane, ku përcaktoheshin përgjegjësitë e palëve nënshkruese.

Paris

Konferenca e Reparacionit, thirrur në Paris zgjati nga data 9 nëntor deri më 21 dhjetor të vitit 1945.

Ky ishte forumi i parë ndërqeveritar që trajtoi me rigorozitet të ardhmen e “arit nazist”.

Rezultat i saj do të ishte arritja e një marrëveshjeje mes 18 shteteve, përfshirë Shqipërinë.

Delegacioni shqiptar drejtohej nga diplomati Hysni Kapo.

Qeveritë e Shqipërisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jugosllavisë, Britanisë dhe 14 shteteve të tjera u dakordësuan që të marrin një shpërndarje të barabartë ndërmjet tyre të totalit të aktiveve.

Kjo, në mënyrë që të vendosej një dëmshpërblim mes agjencive aleate, dhe për të vendosur një procedurë të barabartë për kthimin e arit monetar.

Shqipëria ishte pjesë gjithashtu e rezolutës për dëmshpërblimin nga stoqet ekzistuese dhe prodhimit aktual.

Së dyti, ajo nënshkroi dhe një marrëveshje në lidhje me pronat në Gjermani që i përkasin Kombeve të Bashkuara ose shtetasve të tyre.

Qeveria shqiptare ishte pjesë po ashtu e rezolutës për kostot në lidhje me mallrat e dorëzuara nga Gjermania si dëmshpërblim.

Në përmbyllje, autoritetet shqiptare u përfshinë edhe në rezolutën për pronën e kriminelëve të luftës dhe rekursit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore