Teknologji

Si po ruhet në internet trashëgimia kulturore e Ukrainës


Për të katërtën javë, bombat ruse vazhdojnë të bien mbi Ukrainë. Shumë shtëpi dhe spitale janë shkatërruar, ndërsa numri i civilëve të vrarë rritet dita-ditës.

Trashëgimia kulturore e vendit nuk është kursyer as nga ushtria ruse. Institucione të rëndësishme kulturore janë shkatërruar; ndër të tjera, Teatri Rajonal i Dramës “Donetsk” në Mariupol u shkatërrua plotësisht nga bombardimi, ndërsa Manastiri i Shpellës Sviatohirsk – që daton nga 1526 – u dëmtua rëndë nga granatimet ruse.

Megjithëse njerëzit në Ukrainë po përpiqen të shpëtojnë trashëgiminë e tyre kulturore, duke ruajtur veprat pas thasëve me rërë, ose duke i vendosur ato në bunkerë, organizata vullnetare “Saving Ukrainian Cultural Heritage Online (SUCHO)” po përpiqet të shpëtojë trashëgiminë e vendit nga larg.

Një nga nismëtarët e saj është historiani digjital me bazë në Vjenë, Sebastian Majstoroviç.

Si student në vitin 2009, Majstoroviç ishte dëshmitar i rënies së arkivave të qytetit. Dokumentet e panumërta u shkatërruan, duke përfshirë shënime të vlefshme, shkrime nga mesjeta dhe fotografi historike.

“Shkolla jonë kufizohej në oborrin e pasmë të arkivit të qytetit dhe, rastësisht, isha në klasën që kishte pamje nga ndërtesa e arkivit. Për shkak se isha duke programuar tashmë aplikacione në atë kohë, kisha një iPhone për të xhiruar një video të ngjarjes. Arkivi u shemb para syve të mi. Kjo pati një ndikim të madh”, tha Majstoroviç. 

Shkatërrimi i Bibliotekës Kombëtare të Bosnjës

Shembja e arkivave të qytetit nuk ishte incidenti i vetëm që e bëri Majstoroviçin të kuptojë rëndësinë e thesareve kulturore.

Babai i Majstoroviçit, i cili vjen nga Bosnje-Hercegovina, u arratis në Gjermani para luftës, por shpesh i ka treguar djalit të tij për humbjet tragjike të trashëgimisë kombëtare që ndodhën gjatë konfliktit.

Në vitin 1992, ndërtesa e Vijecnicës, e cila strehon Bibliotekën Kombëtare në Sarajevë, u bë objektivi i granatimeve nga serbët e Bosnjës – edhe pse ndërtesa madhështore në qendër të Sarajevës nuk u përdor për qëllime ushtarake.

Më shumë se 80% e përmbajtjes së bibliotekës u shkatërruan; rreth 3 milionë libra dhe dokumente të shumta të vjetra, që gjurmojnë historinë e vendit, u dogjën në flakë.

“Biblioteka Kombëtare ishte një thesar: Ajo kishte dokumente për Bosnjën multietnike”, tha Majstoroviç.

“Tani është e vështirë për historianët të gjejnë, për shembull, dokumente rreth komunitetit hebre në Sarajevë. Këto janë të gjitha gjërat që humbën atje”.

Edhe pse ai nuk e përjetoi rrethimin e Sarajevës personalisht, Majstoroviç tha se rrëfimet e babait të tij e kishin ndikuar thellësisht atë.

“Nëse qëllimi në atë kohë ishte të shkatërrohej identiteti boshnjak, duke hequr institucionet kulturore, atëherë ne shohim një model të ngjashëm në Ukrainë sot”, tha ai. 

Sot, Majstoroviç punon në Qendrën Austriake për Shkenca Digjitale Humane dhe Trashëgimi Kulturore në Vjenë.

“Në fillim, ne u fokusuam në sigurimin e gjithçkaje që ishte e disponueshme publikisht në internet”, tha ai.

Ata përdorin një program që kërkon në faqet e internetit të institucioneve kulturore dhe arkivat për lidhje dhe shkarkon informacione të tilla, si: dokumente, fotografi të veprave të artit, turne virtuale në monumente historike të rindërtuara, filma, prodhime muzikore popullore dhe modele veshjesh tradicionale.

Programi i plotë nuk funksionon gjithë kohës, prandaj Majstoroviç ka kërkuar ndihmën e vullnetarëve që ndihmojnë në shkarkimin manual të të dhënave.

Në disa raste, programuesit shkruajnë aplikacione speciale për të ruajtur informacionin.

Në fillim, Majstoroviç i mori vetë shpenzimet, por ato u rritën me shpejtësi; SUCHO tani ka mbështetje nga organizatat e teknologjisë dhe ofruesit e internetit, të cilët po i bëjnë serverët e tyre të disponueshëm falas.

Majstoroviç tha se problemi nuk ishte digjitalizimi i trashëgimisë kulturore.

“Institucionet kulturore, edhe në vendet e varfra po bëjnë një punë të mirë për digjitalizimin e trashëgimisë së tyre. Megjithatë, askush nuk ka menduar shumë për sigurimin e të dhënave dhe kjo është diçka që më shqetëson”, tha ai.

Duhet të punohet së bashku ndërkombëtarisht për të krijuar një infrastrukturë digjitale, në të cilën edhe muzetë e vegjël rajonalë, mund të sigurojnë të dhënat e tyre me pak përpjekje dhe pa shpenzime, shtoi ai. 

Edhe politikanët po përpiqen të kontribuojnë në mbrojtjen e pasurisë kulturore.

Komisionerja e qeverisë gjermane për kulturën dhe median, Claudia Roth, për shembull, ka krijuar Netzwerk Kulturgutschutz Ukraine me Ministrinë e Jashtme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore