Sport

Si ndahen medaljet në Lojërat Olimpike?


Tokio do të mbajë Lojërat Olimpike në një kohë tepër të vështirë për vendin. Në mes të një vale shpërthimi të rasteve me Covid-19, Japonia do të mirëpresë sportistë nga e gjithë bota, por nuk do të lejojë që në tribuna të ketë tifozë.

Lojërat Olimpike ishin programuar të luheshin në vitin 2020, por u shtyn për këtë vit si pasojë e pandemisë së Covid-19.

Në kuadër të gjithë kësaj dhe masave të marra që ky proces të shkojë sa më mirë do të ketë edhe ndryshime në dhënien e medaljeve.

Nuk do të jetë më forma klasike, ku sportistëve u jepeshin medaljet duke ia varur në qafë. Ata do të qëndrojnë në podium dhe medaljet do të jenë të vendosura në tabaka, ku vetë sportistët duhet t’i marrin ato.

Gjithashtu në Tokio 2020 (2021) nuk do të lejohen përqafimet dhe shtrëngimi i duarve. Një tjetër mas anti-Covid.

Thomas Bach

“Medaljet nuk do të vendosen në qafë”, tha Thomas Bach-i, Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC).

“Ato do t’i paraqiten atletit në tabaka dhe atletët do ta marrin vetë medaljen. Do të sigurohet që personi që do të vendosë medaljen në tabaka, do ta bëjë atë me doreza të dezinfektuara. Nuk do të ketë shtrëngime duarsh dhe asnjë përqafim gjatë ceremonisë”, shtoi ai.

Lojërat Olimpike të Tokios do të fillojnë më 23 korrik dhe do të përfundojnë më 8 gusht. Kjo është hera e dytë që Tokio do të mirëpresë këto lojëra, pas atyre të vitit 1964, duke u bërë kështu qyteti i vetëm në Azi që i mirëpret dy herë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore