Shqipëria

Si lobon Shqipëria mes të mëdhave në Këshillin e Sigurimit?


Përzgjedhja e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit ka qenë pa diskutim një ndër arritjet më të mëdha të diplomacisë shqiptare në tre dekada të demokracisë, por një pyetje shtrohet shpesh në opinionin publik: Çfarë bën një vend i vogël i Ballkanit, në tryezën mes superfuqive botërore dhe mbi të gjitha, si i dëgjohet fjala diplomatëve shqiptarë?

Ajo që vlen për t’u shpjeguar fillimisht, është fakti se i gjithë koncepti i 15-shes në Këshillin e Sigurimit, bazohet tek formula 5+10, ku pesë janë anëtarët e përhershëm në Këshill (SHBA-të, Britania e Madhe, Franca, Rusia dhe Kina), të cilat kanë edhe të drejtën e vetos në këtë tryezë.

Dhjetëshja tjetër, përzgjidhet në Asamblenë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe mbajnë një mandat dy-vjeçar.

Pikërisht për këtë mandat, vendet lobojnë shumë që të fitojnë një vend – ashtu siç ka bërë edhe Shqipëria.

Ndaj, vetëm pranimi, është një sukses më vete.

Ajo çfarë pritet më së shumti nga kjo dhjetëshe, është që shpalosë problematika të rajoneve përfaqësuese në organin e lartë të OKB-së. Ndaj, që në këtë aspekt, zërat e vendeve të vogla, janë shumë të rëndësishme për vendet simotra në rajon.

Gjithsesi, kjo nuk është e mjaftushme dhe e gjithë situata merr karakter tjetër, kur kërkohet përfshirja në çështje madhore e këtyre vendeve modeste.

Më konkretisht, mandati i Shqipërisë në KS, ka parë një përqëndrim të retorikës politike në luftën e Ukrainës, si ngjarja më e rëndësishme për Perëndimin në të gjitha dimensionet.

Andaj, mënyra e parë se si Shqipëria ka arritur të lobojë për këto çështje, është duke shfaqur perspektivën e një vendi të vogël, në rrafshin më të lartë botëror.

Në këtë logosferë mendimi, Tirana zyrtare, e përfaqësuar denjësisht nga ambasadori i përhershëm shqiptar në OKB, Ferit Hoxha, ka arritur që nëpërmjet fjalimeve dhe retorikës politike, të spikasë mes vendeve të tjera dhe të vlerësohet diplomatikisht në qartësinë e mendimit dhe mesazheve të shprehura.

Aspekti tjetër protagonist për vendet si Shqipëria, lind kur bëhet fjalë për hartimin e rezolutave të ndryshme me karakter qoftë politik, qoftë social-humanitar.

Sërish në këtë sferë, Shqipëria ka qenë shumë e angazhuar dhe ka qenë pjesëmarrëse praktive në hartimin, bashkëhartimin e disa rezolutave të dala nga Këshilli i Sigurimit.

Madje, pikërisht për frymën e spikatur të delegacionit shqiptar në OKB, SHBA-të vendosën që ta bënin Shqipërinë bashkëpenëmbajtëse të kauzës ukrainase.

E treta (ndoshta më e rëndësishmja), ka të bëjë pikërisht me momentumin në të cilin gjendemi pikërisht tani.

Qershori është praktikisht muaji i Shqipërisë në KS, pasi vendi merr presidencën një-mujore dhe drejton seancat.

Ky muaj madje, është cilësuar edhe si shumë i ngjeshur nga Hoxha, gjatë prezantimit të planit veprues për qershorin.

Ai nis menjëherë me një debat të hapur, i cili do të drejtohet nga kryeministri Edi Rama dhe përqëndrim kryesor do të ketë çështjen e llogaridhënies ndërkombëtare.

Në këtë mënyrë, Tirana zyrtare mund të paraqesë përpara gjithë botës edhe çështje me rëndësi themelore, si për shembull dhunën e serbëve në Kosovë përgjatë luftës, duke bërë që zëri i një shteti të vogël ballkanik dhe historia e tij, të dëgjohet në një ndër platformat më të larta globale të diplomacisë.

Kështu, pavarësisht se nga një vend me më pak se 3 milionë banorë, miliona të tjerë do të kenë mundësi të dëgjojnë nga zëri i shqiptarëve, kauza për të cilat duhet luftuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore